Ekskluzive/ “Vetëm Aralica, De Lucas dhe Totre justifikohen”! Shkëmbime idesh me Maldinin dhe Moxhin, Marini kritikon ekipet e Superiores

Futbolli luhet pikësëpari jashtë fushës së blertë, megjithëse tifozët shohin vetëm aktorët kryesorë. Një hallkë shumë e rëndësishme janë edhe menaxherët, të cilët ashtu siç ndodh edhe me tregtarët, mundohen që ta shesin sa më bukur dhe më shtrenjtë produktin e tyre.

Shpeshherë në Shqipëri vijnë lojtarë të huaj që nuk lënë asnjë gjurmë të vetme, për të qenë hija e vetvetes. Por përse klubet shqiptare zhgënjejnë me këto prurje? “Sport Ekspres” ka kontaktuar me Elton Marinin, njeriun që përflitet se do të mbulojë pjesën e skautizmit te Genoa në Serinë A.

Marini ka takuar dhe shkëmbyer ide me shumë figura të njohura të futbollit në Itali, mes të cilëve veçohet Moggi dhe Maldini. Në kryefjalën e intervistës, ngrihet shqetësimi se zgjedhja që bëjnë klubet shqiptare mbi transferimin e lojtarëve, nuk është aspak profesioniste.

Duhet ta nisim menjëherë me produktin që na ofrohet. Si të janë dukur në syrin tënd afrimet e Superiores? Deri tani, ka shumë zhgënjim për performancën e tyre sidomos në aspektin e sulmuesve. Filipovic, Georgiev, Koumbemba po rezultojnë dështim…

Pas gjithë këtyre viteve është për të ardhur disi keq që klubet tona operojnë në rrugë jo profesionale për afrimin e futbollistëve. Edhe pse ka platforma ndihmëse si Ëyscout apo Instascout, produkti afrohet duke marrë për bazë pamje filmike jo profesionale ose pa bërë një analizë statistikore. Nuk dua të tregoj mungesë etike që të përmend emra, por deri tani me syrin tim mund të justifikohet vetëm afrimi i Aralica, De Lucas e Totre.

Cili është tregu që ekipet shqiptare duhet të kenë më shumë vëmendje?

Mundësitë për të operuar në treg janë rritur e klubet tona kanë shtuar lidhjet e kontaktet. Unë mendoj që më e mira është të studiohen rastet e formave të huazimit nga klubet në kampionate të forta, ku mund të përfitohet përveç uljes së kostos financiare, edhe % në rast se futbollisti rishitet pas vlerësimit që merr në kampionatin tonë.

A janë skuadrat në Superiore më profesioniste sot? Nëse t’i i këshillon për të marrë një futbollist me karakteristika të mira, është dikush që e dërgon deri në fund sygjerimin tënd?

Akoma kam dyshim në zhvillimin profesional të stafeve të klubeve, të paktën sipas modelit perëndimor, sidomos në përpjekjet për skautimin e vërtetë. Vëzhgimi real i një kandidati potencial, bën të mundur që të ketë më pak risk dhe sygjerimi i agjentit apo ndërmjetësit të jetë me pozita te forta.

Mesa dimë keni takuar edhe figura të njohura të futbollit italian si Moggi, Maldini. Cfarë mbresash ke nga këto takime dhe sa shumë të jep personalisht shkëmbimi i ideve me këto ikona?

Fatmirësisht nga takimet me figura të tilla të futbollit që kemi shumë afër si ai italian, por edhe me shumë kolegë apo drejtor sportiv të shumë ekipeve si Belgjikë, Hollandë, Francë e Itali, kam mësuar shumë për mënyrën sesi të orientohem drejt tregut. Gjithashtu me synimin për të rritur veten, por edhe mendësinë që të eksportojmë futbollin tonë në këto tregje elitare, kanë qenë këto takime që më kanë krijuar bindjen se me punë të ndershme e profesionale mund t’ia dalim.

Ekuban është një arritje e madhe e jotja. Kur do ta kemi një tjetër goditje të bujshme nga Marini për futbollin në Shqipëri?

Nuk dua të flas për të kaluarën edhe pse Ekuban ishte një propozim që tregoi vlerat e tij në Superiore. Duhet të jemi të fokusuar që të paktën të sjellim lojtarë që mund të bëjnë diferencën e mos të zënë hapësirën lojtarëve tanë, që meritojnë gjithashtu shansin e tyre. Unë jam dashamirës i aktivizimit të lojtarëve vendas, pra atyre shqiptar në klubet tona, duke resepktuar çdo lloj forme të tregjeve, qofshin ato të huaja apo edhe vendase.

Përse nuk ndodh kalimi i menjëhershëm nga Superiorja në Ligue 1, Seria A, por duhet me patjetër një trampolinë?

Duhet shumë punë nga ana e klubeve për një kalim të tillë. Përqendrimi te rritja e talenteve dhe aktivizimi i tyre pa frike rrit mundësinë për tregjet. Edhe trajnerët duhet të jenë guximtar për aktivizimin e lojtarëve të rinj siç ndodh në realitetin që na rrethon me fqinjët tanë që eksportojnë çdo vit në tregjet e forta europiane. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online