Ecuria jo e mirë e kombëtares gjatë këtij viti vjen për shumë arsye. Mungesat, fati, atmosfera në ekip, pakënaqësitë, ndoshta edhe trajneri i gabuar. Për të bërë një analizë duhet gjykuar ftohtë dhe faktorët që kanë pasur ndikim padyshim që janë të shumtë.
Gjithsesi më e rëndësishmja është që të mësohet nga gabimet e së shkuarës dhe të shihet përpara. Hapi i parë është hedhur, pasi sikurse kemi raportuar edhe më parë trajneri Kristian Panuçi nesër e drejton Shqipërinë për herë të fundit në miqësoren kundër Uellsit. Më saktë përfundon këtë aventurë, pasi ku i dihet në të ardhmen mund të rikthehet sërish.
KUSHTI PËR TRAJNERIN E RI – Ende nuk mund të flitet për emra konkretë. Pritet që shumë shpejt të nisin të qarkullojnë emra për pasuesin e italianit. Me siguri presidenti Armand Duka do mendohet mirë këtë herë. Me Panuçin gjërat nuk shkuan siç i kishte imagjinuar.
Egoja e italianit nuk mjaftoi. As disiplina. Por le të shohim përpara. Nëse nuk ka ende një kandidaturë favorite për të marrë drejtimin e Shqipërisë, një gjë tjetër është e sigurt: SportEkspres.com mëson se trajneri i ri i kombëtares do të qëndrojë 365 ditët e vitit në vendin tonë. 365 ditë në mënyrë figurative, pasi në raste të veçanta sigurisht që do ta lërë Shqipërinë.
Kërkohet që këtë herë trajneri të jetë më i lidhur me vendin tonë, të përshtatet disi dhe të përjetojë se sa të rëndësishme janë rezultatet e kombëtares. Sigurisht që ky kusht mund të jetë një pengesë në bisedimet që do të bëhen me kandidatura të ndryshme, por me shumë mundësi do të jetë i panegociueshëm. Sikurse edhe kuptohet, trajneri i ri i kombëtares do të jetë i huaj…