Ekskluzive/ “Të bëjë llogarinë, nëse numëron dot aq shumë”! Arbi Laçi i përgjigjet Tefik Osmanit: Do vijë dita edhe për “binjakun” e Igli Tares

Intervistoi: Klaudio Ndreca

Në rast suksesi, të gjithë kërkojnë nga një copë të tortës dhe gotës së shampanjës, për ta përvetësuar. Por në rastin e dështimit, gjithkush largohet i pari për të dalë nga dhoma e errët pa u djegur ende nga “flakët”, për shpëtimin e shtëpisë nuk mendon askush. Kjo është formula për mënyrën sesi procedohet në vendin tonë. E megjithatë nëse do të kërkojmë me kujdes, të gërmojë shumë në fakt, mund të gjejmë edhe shembullin ndryshe, atë të duhurin.

Rasti i Tiranës ishte i tillë për vetë mënyrën sesi u shpall kampion në 100-vjetorin e saj. Drejtori Arb Laçi dhe trajneri Egbo e morën skuadrën në momentin që po humbiste edhe vetë tifozët e saj. Pra kaq mjafton për të kuptuar situatën dhe faktin se kishte humbur besueshmëria se bardheblutë do të ktheheshin sërish në nivelet më të larta.

Pas rënies në Kategorinë e Parë, Tirana u ringrit më e fuqishme se kurrë. Titull kampion, projekt i së ardhmes dhe mbërritje në “Play-Off” të “Europa League”, të gjitha brenda një viti. Gjithmonë ngrihen diskutime për mënyrën sesi u mbërrit, por historia mban mend vetëm shënimet e rëndësishme dhe jo diskutimet e pavlera që në vendin tonë preferojnë shumë t’i konsumojnë, po aq shumë sa edhe vetë kafja e mëngjesit.

E ky sukses i Tiranës shijoi më tepër për vetë faktin se po përdorte produktin vendas: “ALB ose TR”. Të panjohurit e kryeqytetit, adoleshentët e kryeqytetit, po ktheheshin papritur në djemtë më të preferuar. Ismajlgeci-Muçi-Celhaka! E kush i njihte më herët? Askush! Madje edhe në momentet kur Tirana zyrtarizonte kontratat me këta “fëmijë të talentuar”, tifozët do t’i anashkalonin fare lehtë dhe do të kritikonin, për ta parë ndryshe: “Paskeni mbetur pa para që përfundoni këtu, nuk blini dot lojtarë të saktë”.

Mentaliteti i gabuar sigurisht, pjesë e vendit tonë. Gjithmonë vlerësohen të huajt që në shumicën e rasteve e shohin futbollin në Shqipëri si shëtitje të bukur, duke i hequr mundësinë të rinjve të talentuar me urinë e tyre të madhe për të provuar vlerat para të tjerëve. E tanimë Tirana po korr frytet e asaj pune të dikurshme, me Muçin dhe Celhakën që kanë mbërritur menjëherë te Legia e Varshavës.

Arbi Laçi ishte drejtuesi i parë që i besoi këtyre futbollistëve, duke i zgjatur kontratën para syve. Më herët adoleshentët ishin të mësuar që të nënshkruanin vetëm në tezat e provimeve, por këtë herë po firmosnin për karrierën e ndritur. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me ish-drejtorin e Tiranës për të na folur më tepër rreth Celhakës, Muçit dhe kujtimeve të dikurshme. Në fund, do të ishte e gënjeshtërt intervista nëse do të anashkalonim polemikat e ditëve të fundit që janë ngritur nga Tefik Osmani. Përgjigja e Arbi Laçit? Ky i fundit ngre dyshime të forta mbi aftësinë e pasardhësit të tij në numërimin e parave që po shtohen nga shitjet e fundit, ndërsa e quan si “binjaku i Igli Tares”. “Për momentin nuk flitet më tepër pasi është koha për të qeshur”, thotë mes të tjerash Laçi.

Tirana ngriti për “herë të dytë” trofeun me ty si pjesë të saj. Fillimisht në 100-vjetor dhe tanimë me shitjet e talenteve që ti u ke besuar. Atëherë, kush shijon më shumë?

Titulli ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime. I përket së shkuarës, por gjithmonë kujtim i bukur. Pas Mucit edhe Celhakës, në radhë është Ismailgeci. Jam i lumtur dhe krenar për të tre djemtë që me punë kanë arritur këtu. Investimi i katër viteve më parë po shpërblen Tiranën financiarisht dhe hap tregun për lëvizje të tjera.

Kur do të pyesin fëmijët, më kë prej arritjeve do të krenoheshe me tepër. Tirana kampion apo duke u treguar yjet se sa lart janë ngritur dhe që dikur i ke pasur ti në dorë, duke ndihmuar zhvillimin e talentit të tyre?

Titulli në datëlindjen e 100 të klubit është një kapitull me të cilin të gjithë tifozët dhe ne që kontribuam do ta mbajmë mend gjatë. Mënyra si arritëm nga vendi i tetë në klasifikim për të shkuar te sezoni perfekt dhe deri në Play-Off të Europa League, ishte vërtet shumë që të harrohet në pak kohë.

Celhaka, më cilin lojtar të njohur europian do ta krahasoje në stil loje?

Celhaka është makineri pune.  Vrapon, përplaset me rivalët dhe sërish vrapon. Tipik futbollist europian që di të luajë në ritmin e lartë dhe të ndryshoj ritmin e lojës. Krahasimi? Nuk më pëlqejnë krahasimet në fakt, por është një lojtar që do ta shihni shpejt në Kombëtaren e madhe të Shqipërisë dhe do të bëhet i rëndësishëm aty. Ka karrierë të madhe përpara.

Mendon se do të marrë më pak kohë se Muçi për t’u përshtatur? Do ta ketë më të lehtë?

Jam i bindur për këtë. Muçit i duhej më shumë kohë për vetë rolin e tij në fushë. Celhaka do ta ketë më të thjeshtë përshtatjen dhe pse jo menjëherë, pasi Legia është klub i madh dhe niveli i kampionatit apo edhe i vetë përbërjes në skuadër, ka shumë kualitete.

A nuk është një bast i rrezikshëm për lojtarët që shkojnë nga Shqipëria te Legia e Varshavës?

Futbolli nuk ka më pasaportë. Futbollistët që po ikin nga Shqipëria në vitet e fundit po bëjnë mirë. Më shumë do të ikin në vazhdim, rrugët janë hapur dhe vlera e tregut shqiptar po rritet. Një leksion për klubet që duhet të investojnë më shumë tek të rinjtë.

Si e ke lënë konton e llogarisë te Tirana, arka po mbushet ende dhe shifrat shtohen me frytet e punës së shkuar.

Ftoj pasardhësin tim të ma bëj llogarinë, nëse numëron dot aq shumë…

Nuk mund të lëmë pa prekur edhe polemikat e ditëve të fundit. E megjithatë duhet të pyesim, si e kujton ti Tiranën e Laçit dhe Egbo?

Do të ketë një ditë kur të them disa gjëra edhe për “binjakun e Igli Tares”. Për momentin po qesh më mirë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online