Ekskluzive/ “Shqipëria më befasoi me futbollin që tregoi”! Gazetari hungarez: Ne mendojmë se ju mundim me legjendat e dikurshme

Nga Klaudio Ndreca

Hungari-Shqipëri! Kjo është “finalja e vogël” e Kombëtares Shqiptare që duhet fituar me çdo kusht për të marrë biletën e ëndrrës së madhe, që të luajmë në shtëpi atë që mund të quhet historia e vërtetë kundër Polonisë. Lewandowski do të mbetej pa Botëror nëse ëndrra e shqiptarëve do të realizohej, por ylli botëror që do të kemi përballë mund të kompensohet disi me ëndrrën e shumë shqiptarëve që prej vitesh e kërkojnë një kualifikim në Botëror. Dikur shihej si e pamundur, tanimë jemi aty dhe shumëkush mund ta quaj si “dështim” nëse nuk e arrijmë. Sa kanë ndryshuar kohët! Por sigurisht që i gjithë fokusi ynë kryesor mbetet Hungaria. Kjo Kombëtare renditet më lartë në FIFA dhe UEFA dhe gjithashtu ka një histori shumë më të pasur se Shqipëria.

Por nëse marrim cilësitë aktuale të lojtarëve, u panë në Elbasan Arena, atje ku ne fituam në shifrat 1-0 me golin e Brojës. Jo vetëm që ia dolëm në rezultat, por edhe bindëm në lojë duke e dominuar kundërshtarin. Para kësaj “finale të vogël”, “Sport Ekspres” ka intervistuar gazetarin Balazs Dajka që është pjesë e “24.hu”, një nga mediat më të mëdha në Hungari.

“Shqipëria i ka surprizuar të gjithë tifozët hungarezë. Pasi përfunduam Europianin, të gjithë menduan se do të fitonim lehtë me Shqipërinë, pasi menduam se jemi më të fortë. Por ata që e dinin se Shqipëria ka shumë lojtarë nga pesë kampionatet më të forta në Europë, ishin paksa të frikësuar nga ky fakt dhe e prisnin ndeshje shumë të vështirë. Por Shqipëria ka zhvilluar një futboll ofensiv dhe kjo ka qenë surpriza më e madhe për mua. Lojtarët tuaj ishin shumë më tepër agresiv, me më tepër pasion se lojtarët tanë dhe kjo bëri diferencën e qartë”, thotë Dajka.

Kur e pyesim sesi iu duk vendosja e trajnerit Reja, gazetari hungarez shprehet: “E dija që në fillim se kishit lojtarë me kualitete si Uzuni, Gjimshiti, Kumbulla. Për më tepër me një trajner italian që zakonisht janë shumë të mirë në aspektin e taktikave, të organizimit të lojës. Për mua Shqipëria është në të njëjtin nivel me Hungarinë. Ajo që unë jam kurioz tani është që të shoh sesi do të reagoj Shqipëria. E them këtë pasi ju keni më shumë për të humbur sesa ne. Jeni në vendin e dytë dhe keni shansin e kualifikimit për herë të parë në Botëror. Rejën e kam parë nga futbolli në Serinë A, por nuk e prisja që të kishte kaq shumë impakt në një Kombëtare. Ka bërë punë fantastike te Shqipëria dhe kjo duket lehtë”.

Por si e presin në Hungari ndeshjen e kthimit dhe përse u pa si “fundi i botës” ajo humbje në “Elbasan Arena”, kur në fakt cilësitë janë më të mira në kampin tonë? Për këtë pyetje, përgjigja është shumë koncize. “Nuk shoh shumë diferenca mes nesh. Ne humbasim shumë herë pasi mendojmë se duhet të fitojmë ndaj ekipeve si Shqipëria, vetëm për shkakun se Hungaria ka pasur futboll legjendar para 50 vitesh. Interesante është që ne kemi luajtur pa tifozë ndaj Turqisë, kemi barazuar me Serbinë pa tifozë dhe i kemi marrë maksimumin rivalëve më të fortë. Për këtë arsye duhet parë se çfarë efekti do të japi mungesa e tifozëve në stadiumin tonë. Por gjithsesi trajneri ynë është i sigurt në poozicionin e tij. Nëse do të humbiste me Shqipërinë nuk do të shkarkohej. Ka shumë besim nga tifozët dhe gjithmonë i nxjerr maksimumin lojtarëve që ka në dispozicion”.

Teksa e pyesim për futbollistin kryesor që pritet t’i bëjë “dëm” Shqipërisë, Dajka shprehet: “Jemi në situatë të vështirë pasi kapiteni ynë dhe zgjedhja e parë në vijën e sulmit, Adam Szalai është i dëmtuar. Nuk e kemi një lojtar të dytë si ai. Pas humbjes me Shqipërinë luajtëm në mënyrë të tmerrshme me Andorrën dhe Rosi tani kërkon nga ekipi që t’i përgjigjet si në Europian. Ata e dinë se nëse humbasim tani, atëherë shuhen shpresat për vendin e dytë. Do të varet shumë nga Dominik Szoboszalai që ka pasur dëmtim të gjatë, humbi Europianin, por e nisi mirë me Leipzig. Në Kombëtare nuk ka qenë mirë ndaj Anglisë dhe Andorrës. Jam kurioz nëse Rosi do të zgjedh Daniel Salloin në formacionin titullar. Është në formën më të mirë dhe po kryeson në MLS me 16 gola dhe 7 asist”.

E për ta përmbyllur intervistën me gazetarin hungarez, gjithashtu kemi pyetur edhe mbi shanset reale që ka kjo Kombëtare dhe pritshmërisë për të vazhduar më tej. Vendi i dytë për ta, është më shumë dëshirë apo mundësi? “Është 100% dëshirë. Edhe nëse ne fitojmë me Shqipërinë, do të udhëtojmë ndaj Anglisë dhe Polonisë. Realiteti thotë se do të humbim këto dy ndeshje, megjithëse tifozët janë optimist. Pra deri në momentin që do të kemi qoftë edhe 1% mundësi, ne shpresojmë”, u shpreh gazetari hungarez. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online