Vetëm pak javë para fillimit të kampionatit, Partizani nuk po gjen qetësi. Çështja Edgar Çani mbetet aktuale dhe askush nuk po i jep dum, ndërkohë që rrezikohet përballja ligjore, pasi nëse sulmuesi nxirret jashtë ekipi me të drejtë mund të paditë Partizanin.
Ndërkaq, historia e sulmuesit Stefan Nikoliç ishte një tjetër sinjal se sa keq punohet në klubin e kuq, pasi erdhi një sulmues e firmosi pa miratimin e trajnerit, ndërkohë që flitet për projekte afatgjata e ambicioze, bazuar tek të rinjtë.
Sot vjen rrëmuja e radhës, sepse Sport Ekspres mëson se sulmuesi Besart Abdurahimi ka braktisur të kuqtë. 27-vjeçari nuk është paraqitur fare në stërvitjen e sotme dhe ka ikur në Kroaci. Kërkesa e tij për klubin është e qartë: prishje kontrate!
Sulmuesi erdhi me bujë me fillim të vitit dhe firmosi kontratë goxha të majme, por luajti vetëm 14 ndeshje në kampionat, shënoi 2 gola duke luajtur rrallë nga minuta e parë dhe nuk luajti titullar as kundër Mariborit në Europa League.
Klubi i kuq i bën presion Abdurahimit që të ulë pagën, por sulmuesi i kombëtares maqedonase është lodhur nga situata e nderë në Tiranë dhe është arratisur. Një hall i ri për Partizanin, që duhet të mbyllë një tjetër gropë në sulm, nëse nuk gjendet marrëveshje për kthimin e sulmuesit.