Shqipëria prej afro 2 muajsh po Lufton përhapjen e Covid-19, madje duke sakrifikuar edhe jetën siç ne e njohim deri tani, me izolimin si të vetmen armë. Por pa marrë në konsideratë kostot e larta të kësaj lufte, teksa lëmë jashtë atë që mund të jetë edhe më e rëndësishmja, shëndetin psikologjik. Të jetosh i mbyllur vetëm rreth 4 mureve nuk është aspak e lehtë, ndërsa pasojat e rënda mund të lënë gjurmë edhe te fëmijët.
Natyra dhe sporti janë dy nga pikat kyçe për të pasur një fëmijëri të shëndetëshme, por që këto ditë po mungojnë. Madje edhe në momentin kur flitet për lirim të masave, sporti sërish nuk shihet në listën e gjatë të qeverisë. Për t‘u njohur më tepër mbi ndikimin e mungesës së aktivitetit sportiv dhe mbylljes në shtëpi te fëmijët flet qartë Elvis Muça, një figurë e njohur e sportit në vendin tonë që tashmë drejton “Akademinë Zëri“ si dhe Akademinë e parë të portirëve të hapur në Shqipëri. Muça rrëfen për “Sport Ekspres“ se sa të prekur janë fëmijët nga ana psikologjike nga kjo situatë, madje edhe me raste konkrete të treguara nga prindërit e pjesëtarëve të Akademisë së tij. Më tej komenton edhe qendrimin e qeverisë Rama karshi sportit, ndërsa bën thirrje të hapë sërsih sporit dhe t‘a bëjë këtë për të mirën e të gjithëve.
Meqë pak e prekin si temë, pyetja jonë e parë lidhet me anën psikologjike të fëmijëve. Ka pasur raste kur prindërit iu kanë njoftuar se fëmijët e tyre po vuajnë nga ankthi në këtë kohë?
Për të kuptuar më mirë realisht situatën që është krijuar tek femijët unë shpesh bëj lidhje me ta me anë të rrjeteve sociale dhe nga nje sondazh me disa pytje me prindërit e “Akademisë Zëri” për të ditur më mirë situatën kur sporti të rifillojë konstatimet janë të frikshme për situatën që fëmijët po kalojnë. Shikojini vetë…
Sa gjatë do të shënojë kjo periudhë tek një pjesëtar i akademisë tuaj, pra në aspektin e rritjes futbollistike, por edhe atë mendore, pra që ta harrojë plotësisht këtë kohë?
Në aspektin sportiv dhe psikologjik, edhe nëse kjo periudhë do arrijë të hiqet nga memorja e fëmijëve unë do thoja se në aspektin sportiv do dojë kohë që sportistët të arrijnë aty ku e lanë. Kjo duke pasur parasysh se ata mesojnë në çdo seancë stërvitore diçka të re njesoj si në shkollë dhe mungesa për një kohë të gjatë i kthen fëmijët mbrapa në kohë. Psikologjikisht mendoj se na ngelet ne trajnerëve një detyrë shumë më e veshtirë se në një kohë normale, duke pasur parasysh faktorët e kësaj mbylljeje, ku fëmijët kanë krijuar varësi nga shumë gjëra negative të cilat e bëjnë sjelljen e tyre të jetë shumë më e ndryshme se më paër. Siç edhe e prekën të gjithë prindërit në disa sms të nisura nga vet ata, sjellja e tyre, regjimi, mënyra e të ushqyerit, koha e gjatë në shtëpi, ka ndikuar negativisht tek deshira e tyre për sport jashtë shtepisë. Gjë që e çon brezin e sotëm në aspektin e shëndetit mendor dhe fizik në regres.
Si e shihni qendrimin e Qeverisë karshi futbollit. Iu duket braktisje, apo masa për të mbajtur nën kontroll pandeminë?
Qendrimin e qeverisë e shikoj absurd dhe të pa konsultuar me faktorin sportiv. Absurd për faktin se të pranosh hapjen e fasonerive me 2000 – 3000 punonjës nëpër kampanone të mbyllura, të shikosh pamje si ato të së dielës po jo vetem, ku fëmijë, prindër e pensionistë dynden nëpër sheshe dhe parqe, kur shikon Supermarkete me sipërfaqe 1500 deri 2000 metra katrorë ku janë mbi 50 vetë dhe në ambiente të ngushta ku kontaktet janë të paevitushme, lind pyetja pse jo sporti? Aty ku sipërfaqet e hapura i kalojnë 6000 metra katrorë dhe ku janë jo më shumë se 20-25 femijë. Të pa konsultuar për faktin se nga kontaktet që kemi me njerëz të fushës së mjekësisë na argumentohet që sporti nuk përbën një rrisk të lartë për përhapjen e virusit.
Këtu marr shkas dhe nga Doktor Pëllumb Pipero, i cili e tha qartë që për mua aktiviteti sportiv duhet hapur absolutisht, duke marë disa masa. Ndërkohë ministria e shendetësisë deklaron që pa u gjetur vaksina sporti dhe fillimi i aktiviteteve sportive duhet parë. Unë mendoj që këtu veç seriozitet apo dëshirë që sporti të fillojë nuk ka nga ana e organeve kopetente. Kemi marrë kontakte të vazhdueshme me FSHF-në dhe na është thënë që shkresat janë nisur në Ministri por përgjigje s‘po marrim. Kjo tregon qartë seriozitetin dhe dëshirën e këtyre njerëzve që trumpetojnë me të madhe nëpër televizione për shtimin e pjesëmarrjes së brezit të ri në aktivitetet sportive, ku harxhohen miliona për projekte të ndryshme të ashtuquajtura sportive, të cilat shumëzohen me zero nga kjo situatë ku po e çojnë sportin shqiptar.
Çfarë kërkese keni për Ramën konkretisht dhe çfarë i këshilloni për sportin?
Kryeministrit i kërkoj, duke pasur parasysh edhe tipin e tij sportiv por edhe si një ish-sportist, t‘a marri seriozisht këtë situatë ku ndodhet sot i gjithë komuniteti i sportit. Po njëkohësisht të mendojë se janë mbi 25.000 vetë të cilët mbajnë familjet e tyre me këtë sport. Kjo situatë nuk mundet të vazhdojë më kështu, pasi do të ketë pasoja të jashtëzakonshme në shëndetin e fëmijëve. Zoti Kryeminister ne po presim të na thoni që sporti të hapet për të mirën e të gjithëve ne./Halit Delibashi-Sport Ekspres/