Ekskluzive/ “Nuk e harroj kurrë”! Bitri tregon si heshti grekët që e ofendonin: Doja të festoja me shqiponjë por kisha frikën e UEFA-s, u tregova mbiemrin

Nga Klaudio Ndreca

“Treni i fundit” po largohej dhe Eneo Bitri arriti ta kapte duke ecur me hapa të mëdhenj. Mbrojtësi 24-vjeçar bëri lëvizjen më të rëndësishme në karrierë duke u larguar nga Partizani dhe për t’iu bashkuar Astanas. Për çdo futbollist të lindur dhe rritur në Shqipëri kjo mbetet edhe ëndrra më e madhe. Duke parë vitet që njohin vetëm shtim dhe sezonin që mbylli me Ilir Dajën, ky ishte momenti më i mirë që Bitri të njihte limitet e vetes së tij.

Në Kazakistan nuk kaloi shumë kohë që mbrojtësi të vishte “kostumin e heroit”. Në turin e dytë të “Conference League”, Bitri është “fajtori” që i la grekët të mbyllen në shtëpi dhe të heshtin. Teksa luhej minuta e fundit dhe trajnerët po përgatisnin lojtarët për goditjet e 11-metërshave, Bitri bënë pjesëtarët e klubit të Arisit të kthejnë kokën për një moment nga fusha dhe të lënë letrën me shënimet e “ruletës ruse”. Nuk kishte se përse të vendoseshin në zbatim, Bitri kishte shënuar dhe i dha kualifikimin Astanas.

Menjëherë nisi edhe festa e madhe e mbrojtësit nga Berati që siç tregon në intervistën për “Sport Ekspres”, kishte shumë emocione për të shfryrë. Goli i parë, i dha kualifikimin Astanas në ndeshjen e vështirë dhe pa harruar, eliminoi ekipin grek. Gjatë gjithë kohës ishin tifozët e Arisit që po e ofendonin për shkakun e origjinës. Çfarë ndodhi më tej? Eneo Bitri e tregon më së miri!

Me trajnerin Daja në krye është parë edhe rritja jote në cilësinë e lojës. Çfarë veçon dhe do të kujtoj gjithmonë Bitri nga puna me këtë trajner?

Po është e vërtetë që me trajnerin Daja kisha rritje. Atë vit nuk kisha konkurrencë në fakt, por i kisha vendosur si qëllim vete që të merrja maksimumin. Kam mësuar nga trajneri Daja që gjithmonë më kërkonte në stërvitje për të minimizuar gabimet dhe të kisha përqendrim maksimal. Kjo është meritë edhe e grupit, sepse ishim fantastik ku sakrifikonim për njëri-tjetrin në çdo moment.

Partizani i ri nuk ngjason aspak me të vjetrin. Je një prej ikjeve të shumta të rëndësishme nga baza e vjetër. Mendon se Partizani me “fytyrën e re” mund të fitojë titullin kampion?

Është ndryshuar rreth 80% e ekipit dhe normalisht futbollistët që kanë ardhur duan kohën e tyre që të ambientohen dhe përshtaten me idetë e trajnerit Daja dhe me idenë që janë te Partizani, një fanellë me peshë të madhe në Shqipëri. Sido të shkojë, Partizani do të jetë aty sa herë që bëhet fjalë për objektivat maksimal.

Për të shkuar te Astana. Cila ishte ndjesia kur mësove mbi interesimin e tyre? Shumë prej lojtarëve që luajnë në Shqipëri e ëndërrojnë këtë moment.

Të them të drejtën ishte një ndër ofertat e para që mbërriti për mua. Kam qenë mëse i bindur për të firmosur me këtë ekip. Po është e vërtetë, jam duke kaluar momentet më të mira të karrierës sime dhe shpresoj që të vazhdoj akoma në këtë mënyrë.

Ditët e para në shtetin e ri. Cila kanë qenë vështirësitë kryesore në ambientimin e Bitrit?

Kanë qenë pak ditë të vështirë sepse hera e parë që jam jashtë Shqipërisë. Por në skuadër kisha disa lojtarë nga Ballkani që më kanë afruar që në ditët e para. Vështirësia kryesore dihet që është gjuha. E kam pak problem, kam mësuar gjërat kryesore dhe po ambientohem.

Pak kohë, por veshe kostumin e heroit me Astanan pas golit ndaj Aris. Çfarë të tha trajneri dhe shokët e skuadrës?

Të gjithë më kanë uruar dhe kemi festuar pak pas ndeshjes. Trajneri ka qenë shumë i kënaqur po ashtu edhe drejtuesit më të lartë të klubit që më kanë uruar për golin dhe ndeshjen.

Askush nuk e vendos në diskutim profesionalizmin tënd, por a të dha sadopak emocion ndryshe goli i shënuar ndaj ekipit grek në shtëpinë e tyre? Për një lojtar të rritur në Shqipëri dhe kur e sheh papritur që të eliminojë një ekip grek nga Europa ka një kënaqësi paksa më ndryshe se mund ti falej nëse shënonte ndaj një tjetër rivali apo jemi gabim?

Në fakt po, ishte emocion i dyfishtë që më erdhi te goli. Tifozët po më ofendonin gjatë gjithë kohës te ndeshja me Aris. Po mendoja që të festoja duke bërë shqiponjën, por mendova se mund të merrja ndonjë dënim nga UEFA. Prandaj zgjodha që të festoj në mënyrë tjetër, duke u treguar mbiemrin tim. Them se nuk do ta harroj kurrë atë moment pasi në momentin që shënova ka rënë gjithë stadiumi në qetësi dhe vetëm ne po festonim. Nuk po më besohej për një moment, por ndodhi.

Kombëtarja, a është ky stacioni i radhës dhe qëllimi i Bitrit?

Kombëtaren e mendoj në çdo ditë. Për çdo futbollist shqiptar është ëndërr dhe shpresoj se një ditë do ta vesh atë fanellë duke bërë mirë, kudo që të jem. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online