Ekskluzive/ “Ngjarja më e madhe që nga dita e Pavarësisë”, Ylli Aga flet për finalen e Tiranës: Asnjë ushtri nuk e pushtoi Shqipërinë në këto numra

Nga Klaudio Ndreca

“Një botë e re po lind gërmadhash”! Ky ishte mbishkrimi i lënë para disa vitesh nga gazetari dhe komentatori i mirënjohur në vendin tonë, Ylli Aga, teksa po niste ndërtimi i “Air Albania”. Pritshmëria ishte e lartë se diçka e bukur dhe ndryshe nga e zakonshmja po ndërtohej në Tiranë për gjithë Shqipërinë, ndoshta edhe Ballkanin, por as imagjinata e Ylli Agës nuk kishte mbërritur kaq larg. Në fakt, historia e projekteve me realitetin në Shqipëri është si ajo e femrave me rrjetet sociale. Zakonisht të shkakton të njëjtin impakt goditës në fotografinë e parë, por është shumë zhgënjyese kur e sheh më nga afër. Por jo këtë herë, “Air Albania” ishte “dashuri me shikim të parë”, në të dy rastet, më veçanërisht ai i realitetit.

Dhe ja ku jemi, një finale e Europës do të luhet në Tiranë, Conference League. Për këdo pesimist mbi vlerën e trofeut, që në Shqipëri janë të shumtë dhe duan të shohin zi në çdo panoramë, lotët e Jose Mourinhos se do të vinte në Tiranë treguan shumëçka për rëndësinë dhe përgjegjësinë që kemi marrë përsipër. Ndoshta nuk e kemi kuptuar ende se çfarë po ndodh realisht! E parë në këtë prizëm, në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”, Ylli Aga nuk ngurron që ta cilësojë këtë finale si ngjarjen më të madhe që ka ndodhur që nga dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Tirana do të ketë kryeqendrën mediatike europiane në një ditë të vetme, megjithëse ka nisur prej disa kohësh, kryesisht në Holandë dhe Itali, dy shtetet që janë të prekura direkt në këtë finale. Por ajo që nuk duhet të gabojmë në gjykim, është se një përplasje mes tifozëve të Feynord dhe Romës, nuk do të thotë dështim në organizimin e finales. Mund të duket e çuditshme për pjesën tjetër, por për këdo që njeh sadopak nga “ligji i huliganëve” dhe rregullat e tyre që janë të pazakonta, shpeshherë dy kampet e tifozerive kundërshtare bien në dakortësi me njëri-tjetrin për të lënë një pikë takimi ku i shpëtojnë vëzhgimit të policisë, për të matur forcat fizikisht me njëri-tjetrin.

Roma dhe Feynord janë në finale, por Shqipëria kërkon të fitojë trofeun. Nëse çdo gjë shkon për mrekulli, siç urojmë në fakt, çfarë do të thotë për imazhin e vendit tonë?

Finalja e parë europiane është absolutisht eventi më i madh sportiv dhe jo vetëm, që i ka ndodhur Shqipërisë që nga dita e parë e Pavarësisë. E gjitha kjo në raport me sipërmarrjen, me angazhimin e shumë institucioneve dhe në mënyrë të veçantë, me numrin e lartë të të huajve që do të jenë njëkohësisht në vendin tonë. Në shifra të tilla, asnjë ushtri nuk e ka “pushtuar” Shqipërinë. Për të gjitha përgatitjet, planin e masave të të gjithave institucioneve, trofeu tanimë mund të konsiderohet i fituar. Me shpresën se nuk do të përballemi me gjëra të paparashikuara, 26 maji do të shënohet me të kuqe në kalendar dhe Tirana për një ditë do të jetë kryeqyteti i Europës.

Gjithmonë gjërat kur i ke, ndoshta nuk ia kupton mirë vlerën. Një finale europiane në Tiranë, e kishe imagjinuar ndonjëherë?

As në ëndrrën më të bukur. Pesimizmi shtohej pas çdo finale që më është mundësia të ndjek nga afër. Madje skeptik isha edhe në momentin që po ndërtohej Air Albania dhe paralelisht aplikohej për organizimin e Superkupës Europiane. Isha në dijeni të “malit” të procedurave dhe një serie kushtesh që duheshin plotësuar. Për fatin tonë janë bërë bashkë shumica prej tyre dhe të shtyra nga një vullnet i jashtëzakonshëm dhe bashkërendimi i punëve të shumë institucioneve, tani jemi dëshmitar të një eventi histori. Kjo do të sjelli vetëm dobi të njëpasnjëshme sportive dhe financiare, por mbi të gjitha sa i takon imazhit të Shqipërisë dhe Tiranë në sytë e opinionit të gjerë europian.

Kryetari i Shoqatës së tifozëve të Feynord, Kees Lau, foli se biletat kanë rënë né duart e mafias shqiptare vetëm se çmimi i biletave në tregun e zi kishte shkuar 3000 euro. Gjithmonë duhet t’i lidhin shqiptarët me mafian europianët, a është kjo finale një betejë për të mposhtur edhe këtë paragjykim?

Nuk më ngacmojnë aspak të tilla komente, paragjykime dhe akuza pa vend. Në evente të tilla, kur kërkesa shkon përtej parashikimeve, ka edhe të tilla anomali që organizatorët, në këtë rast UEFA, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, kanë rezultuar të pamjaftueshme. Për të kuptuar se çfarë ndodh në qytete dhe vende shumë më të mëdha, po ju sjell në vëmendje se çfarë ndodh në Paris për një rezervim hoteli në datat kur luhet finalja e Champions League. Cmimet janë të shumëfishuara, e njëjta gjë edhe me biletat. Por nuk duhet të mungojë apeli nga çdo zë zyrtari, publik dhe me ndikim që secili nga ne në ato ditë, duhet të tregojë qytetari dhe vlerat më të mira të trashëguara brezi pas brezi sa i takon mikpritjes, të tregohemi të denjë dhe korrekt në raport me çdo mik gjatë këtyre ditëve.

Më shumë sesa tifozë me Romën apo Feynord, kjo duket një duel pro Romës së Marash Kumbullës dhe të vetmit kundër, janë tifozët e Igli Tares së Lacios dhe jo mbështetës së holandezve. Përse vjen kjo lidhje kaq e fortë e tifozëve tanë me lojtarët e Shqipërisë apo figura të rëndësishme që vijnë nga vendi ynë?

Nuk ka asnjë dyshim që mbështetësit e Romës do të ishin në çdo rast më të shumtë dhe kjo në raport me lidhjen që shumë prej nesh kanë me Italinë dhe futbollin e saj. Mourinho gjithashtu, ka tifozët e tij, për atë që ka bërë te Chelsea, Inter dhe Real Madrid. Me Kumbullën në fushë tanimë, kemi një motiv më shumë, do të në jap në mënyrë të paevitueshme një ndjesi përkatësie dhe të na injektoi dëshirë për të fituar diçka të rëndësishme. Dyshoj që tifozët e Lacios në vendin tonë, të jenë edhe këtë ndeshje kundër Romës së Kumbullës.

A beson se policia shqiptare i ka kapacitetet për të evituar përplasjen mes dy tifozerive? Thuajse në çdo finale, ndodh një e tillë…

Duhet të jemi të qartë dhe të tregohemi të drejtpërdrejt në mesazhet dhe pritshmëritë tona. Përleshjet e tifozëve në të tilla evente, është gati e pamundur të evitohen. Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vendet të mëdha, me kapacitete njerëzore dhe mjete moderne në dispozicion të forcave të sigurisë. Duhet të dimë se tifozët kanë axhendën e tyre, ndeshjen dhe kampionatin e tyre. Askush nuk duhet të çuditet se përplasjet mund të jenë edhe të planifikuara nga tifozeritë respektive, me synimin e dëshmisë së forcës apo një lloj reklamimi që bëhet në faqe të dedikuara për huliganët. E rëndësishme është që të mbahen në kontroll, të jenë të vëzhguar në çdo momente dhe t’u lihet liri për sa kohë nuk dëmtojnë qytetarët tanë, bizneset dhe qytetin.

Qeveria ka merita në besimin e kësaj finale sa mund të ketë FSHF nëse futemi në BE. Ky është konstatimi ynë, qëndron apo ka merita kryesore edhe Qeveria në marrjen e kétij eventi sipas teje?

Do të doja të evitojë çdo ndjenjë nihilizmi sepse për ngjarje të tilla, minimizimi apo akoma më keq mohimi i çdo kontributi do të ishte më e pakta, e pandershme. FSHF nga ana e saj dhe presidenti Duka kanë meritën se kanë iniciuar, hartuar dhe zbatuar nga A-ZH një projekt gjigand për shpatullat dhe kapacitetin e institucionit. Nëse për këtë iniciativë dhe sipër marrje, përgjegjësia dhe merita e FSHF është afro 30%, jam i sigurt se impenjimi, dëshira dhe motivimi i çdonjëri aty ka qenë në kuotën maksimale 100%. Por sigurisht, gjithçka nuk do të mjaftonte nëse nuk do të përgjigjeshin me të njëjtin përkushtim edhe institucionet shtetërore sepse për kapitujt e transportit, akomodimit dhe veçanërisht sigurisë, kërkoheshin përgjigje dhe vullnet positiv. Në dijeni të gjithë këtyre fakteve, organizimi i finales europiane të Conference League ka bërë bashkë shumë institucione në këtë vend duke na përcjell një mesazh shumë të fortë. Nëse bëhemi bashkë për gjëra të mira, ka përkushtim, jemi të aftë të realizojmë gjëra të mëdha dhe produktive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dëshira ime është ta shijojmë dhe përjetojmë të gjithë si një festë, prej së cilës do të marrim emocionin e dickaje unike dhe ta fiksojmë në memorie si eventin më të madh sportiv dhe jo vetëm në historinë e shtetit tonë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online