Ekskluzive/ Më shumë Ronaldinho dhe më pak Benzema, kampioni Prendi kërkon miqësore me 5 lojtarë të Tiranës: Në fushë të vogël ndoshta i mundim ne…

Nga Klaudio Ndreca

Tirana Futsal arriti të shpallej kampione e Shqipërisë në edicionin 2022-2023. Kryeqytetasit fituan finalen e tretë kundër Flamurtarit Futsal me shifrat 5-3 pasi më herët kishin fituar nga njëherë secila skuadër. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të intervistojë një prej lojtarëve kampion të Tiranës, Miland Prendi. I njohur për lëvizjet e tij teknike dhe të befasishme për kundërshtarin, po aq sa edhe për gjuajtjet e forta që shtangin portierin, këtë herë kemi më shumë për të zbuluar nga Prendi.

Video edited on Kapwing

Ishte historia e një djali nga Kukësi që kishte vetëm një synim në jetën e tij, të bëhej futbollist. Ndoshta në ato pak raste ku vërtet merr vlerë shprehja: “Topi ishte e gjithë bota për të”. Por puna dhe talenti mund të jenë kombinimi perfekt në shumë shtete të tjera, në Shqipëri kërkohet vendi i duhur, koha e duhur dhe njerëzit e duhur për të nxjerrë në pah cilësitë e tua, që ëndrra e fëmijërisë të kthehet në realitet.

Këto të fundit Milandit i munguan në futbollin profesionist, atë të fushës së madhe. Pas disa eksperiencash me moshat e Tiranës apo ekipit të dytë të Kukësit filloi një rrugëtim i ri. Pasi e la futbollin teksa kuptoi se gjërat funksiononin ndryshe nga planet e ndërtuara në fëmijërinë e tij, nuk mungonin ndeshjet e shumta në kalçeto për të nxjerrë mallin e fushës së blertë. Në një prej këtyre rasteve ishte kapiteni i Tiranës Futsal, Endrit Kaca, i cili zgjodhi që ta ftonte Prendin në skuadër.

Kështu nisi ky rrugëtimi i ri. Emocioni dhe përkushtimi është i njëjti për të, mënyra e stërvitjes dhe analizës së kundërshtarit po ashtu. Pavarësisht se ne kemi të krijuar idenë se në Futsal duhet të jesh më shumë “Ronaldinho” në “Freestyle” sa i përket lëvizjeve me topin se “Benzema”, vetëm në produktivitetin e golave, Prendi na tregon të kundërtën. E teksa në fund e ngacmojmë se kush do të fitonte në një lojë Fustali me 5 lojtarë mes ekipit të Tiranës së Futsalit dhe Tiranës së Orges Shehit, Prendi shprehet se shokët e tij mund ta fitonin këtë duel në fushën e vogël, shtëpinë e tyre.

Përpara se t’i bashkoheshe Fustalit ke qenë pjesë e disa ekipeve në Shqipëri apo jo? Si nisi rruga jote drejt futbollit?

Në fillim ka nisur futbolli i lagjes. Një prej djemve aty më ka dërguar te Tirana, atje ku luante vetë. E fillova te moshat e Tiranës, e nisa nga U-13, U-15, U-17 deri në U-19. Kam luajtur me disa ekipe, disa ndeshje i kam zhvilluar edhe me Kukësin B. Më pas duhej që ta lija futbollin dhe aty nisi historia e futsal. Teksa po luaja një ditë në kalceto njoha një shok, Endrit Kaca, kapiteni i Tiranës dhe lojtari i Shqipërisë i futsalit. Ai më mori dhe më dërgoi te ekipi i futsalit.

Në momentin që nise këtë rrugëtim të ri, cila ishte përshtypja e parë e formuar për të?

Mua mu duk shumë i vështirë si futboll, ishte shumë ndryshe nga futbolli në fushë të madhe. Ky i futsal është shumë më teknik, i shpejtë, parketi ndryshe nga fusha. Ndeshja ime e parë ka qenë në Champions League kundër Prishtinës. Ishte koha e pandemisë, Tirana nuk kishte shumë lojtarë dhe më morën. Luajta pak në atë ndeshje, u mundëm dhe pastaj kam qenë pjesë e ekipit në kampionat.

Sa shumë ndryshon stërvitja dhe angazhimi mes një lojtari profesionist që luan në fushë të madhe dhe atij në Fustal?

Nëse një lojtar profesionist ka stërvitje, edhe një lojtar futsali stërvitet. Mund të ndryshoj pak pasi preket më shumë ana teknike, por ne bëjmë stërvitje çdo ditë, 1-2 orë në Asllan Rusi. Gjithashtu ka edhe përgatitje fizike, pasi është futboll fizik këtu, kur luan në parket është e lodhshme. Ka shumë skema sigurisht, bëhen analiza të kundërshtarit. Jo me video, por duke ditur natyrën e kundërshtarin zgjedhim edhe mënyrën tonë të lojës, kështu fituam edhe me Flamurtarin në finale.

Si shkoi historia e finales me Flamurtarin? Fituat 9-3 dhe pastaj humbët, duke e lënë trofeun në ndeshje të fundit. Kishit frikë se do ta humbisnit?

Ndeshjen e parë e zhvilluam në Vlorë dhe ne fituam 9-3. Nuk ishte aq e thjeshtë sa duket në rezultat, por kemi luajtur mirë. Ndeshja e dytë u zhvillua në Tiranë dhe ne humbëm. Fati nuk ishte shumë me ne dhe ndoshta ndikoi pak nënvlerësimi pasi kur e fiton ndeshjen e parë 9-3, ndeshja e dytë duket e fituar. Pastaj në ndeshjen e tretë u fokusuam shumë, dhamë maksimumin tonë dhe arritëm të fitonim 5-3. Nuk kishim frikë se do të humbisnim finalen e tretë, ne kishim besim se do t’ia dilnim, ishim të sigurt në veten tonë. Kemi marrë dy trofe këtë vit, Kupën dhe kampionatin, kemi bërë detyrën.

Çfarë ndjesie apo emocioni të jep luajtja në parket nisur edhe nga dëshira juaj e fëmijërisë?

Emocioni mbetet i njëjtë, futboll është. Mbështetja e tifozëve ka qenë, megjithëse nuk janë aq të shumtë. Sidomos në ndeshjet e play-off, finale dhe gjysmëfinale ka shumë tifozë. Nuk është shumë i përhapur, por është në rrugën e duhur. Po shtohen ekipet nga viti në viti dhe pritet të përhapet edhe më shumë.

A mund të luajë çdo lojtar i fushës së madhe edhe në Fustal apo mund të ketë raste përjashtimesh? Pra a duhet të jesh më shumë Ronaldinho në Freestyle apo më tepër Benzema në produktivitet golash?

Shumë lojtar të fushës së madhe mund të luajnë edhe në fushë të vogël. Futbolli është sport i thjeshtë nëse luan thjeshtë, nëse pason, lëviz, markon lojtarin që të kanë lënë, ia del edhe në futsal. Më shumë se Freestyle aty duhet të kuptosh fushën, nuk ka vend shumë për lëvizje spektakli. Duhet të pasosh, të luash fort, të përplasesh, pak lojtarë janë aty që mund të bëjnë Freestyle. Kjo është lojë ekipi nuk ia del dot i vetëm.

Nëse ekipi juaj prej 5 lojtarëve do të përballej me 5 lojtarë të Orges Shehit, kush do të fitonte në fund në Futsal?

Nëse do të luanim kundër Tiranës, ata janë lojtarë me cilësi të mëdha dhe shumë të mirë, por në fushë të vogël, ndoshta mund të fitonim ne. Do të ishte ndeshje e fortë, por do të ishte kënaqësi e madhe nëse do të luanim kundër tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online