Ekskluzive/ “Më erdhi keq si nuk reagoi shteti për shqiponjën”, zyrtari i Maqedonisë: Dikur na quanin tradhtar! Nëse u çuditët me Hasanin…

Nga Klaudio Ndreca

Maqedonia e Veriut është përfaqësuesja më e mirë e shqiptarëve në Europianin që ka nisur në mbrëmjen e djeshme me sfidën hapëse Turqi-Itali. Tifozët kuqezi janë të përfaqësuar si kurrë më parë në një tjetër ekip për shkakun se përtej përfshirjes së madhe të lojtarëve shqiptarë te Maqedonia e Veriut, Federata e Futbollit në këtë vend drejtohet nga Muhamed Sejdini.

Gjithashtu edhe pjesa e administratës është e përbërë nga shqiptarët, ndërsa ky grup rezultoi si fitues pasi Maqedonia e Veriut shkoi në Europian për herë të parë. “Sport Ekspres” ka intervistuar zëdhënësin e Federatës Maqedonase të Futbollit, Faton Zylbeharin, i cili na tregon emocionet e përjetuara nga kjo magji.

Cilat janë emocionet e këtij Europiani të parë? Pra teksa jeni ende duke pritur që të zbrisni në fushë, çfarë iu kalon ndërmend në këto momente duke kujtuar edhe të shkuarën?

Ka kombinim të ndjenjave dhe emocioneve. Në plan të parë ajo që të bie ndërmend është se je brenda diçkaje që gjithë jetën e ke ndjekur nga televizori, që fëmijë. E kemi ëndërruar edhe kur luanim futboll në moshën më të re dhe më pas duke raportuar pasi kemi shumë vite në gazetari. Jam me fat që jam brenda Europianit dhe të shijoj këtë magji të një organizimi të këtij niveli.

Në këtë Maqedoni europiane ka edhe shumë Shqipëri. Do të jetë kjo përfaqësuesja jonë më e mirë?

Është shumë e bukur pasi e kam thënë dhe vazhdoj ta them: “Nuk e kemi zgjedhur ne që fati i shqiptarëve të ndahet në shumë vende”. Ne na ka rënë që të jetojmë në Maqedoni dhe si të tillë jemi të detyruar që të tregojmë se kemi vlera e kualitet për të bërë gjëra të mëdha. Kemi arritur të fitojmë shumë terren dhe ky përfaqësim në Europian ndodhi kurrë shqiptarët janë të përfaqësuar si kurrë më parë qoftë edhe në aspektin e futbollistëve, por edhe të Federatës dhe administratës. Pra nga kreu që mbahet nga Sejdini dhe gjithë pjesë më poshtë. Është e bukur kur shikon që në Shqipëri dhe në Kosovë na përkrahin.

Ke marrë shumë mesazhe në telefon nga tifozët shqiptarë?

Kam marrë mesazhe shumë dhe kjo më bën të ndihem mirë. Dikur quheshim tradhtar, por ne po bëjmë një punë dhe nëse nuk do të përfaqësoheshim, do të quheshim vetëm si numër. Përmes punës tonë kemi arritur që fitojmë pozicione dhe të përfaqësojmë denjësisht vendet tona dhe gjithë shqiptarët që mund të ndiejnë se ne jemi ata.

Në Zvicër shqiponja është ndaluar. Po në rastin se një lojtar shqiptar i Maqedonisë do të shënojë, mund të fluturoj lirisht pas golit, nwse e dëshiron sigurisht?

Personalisht kjo çështja e Zvicrës më ka bërë të dëshpëruar edhe për mënyrën sesi heshti shteti shqiptar gjatë atij Botërori dhe ndeshjes së famshme ndaj Serbisë. Duke dashur që UEFA të ruajë sigurinë e tifozëve në stadium dhe duke mos kërkuar provokime, u keqpërdor dhe u tha se shqiponja është provokim për dikë. Por në fakt është shenja e simbolit të shqiptarëve dhe askush nuk duhet ta shohi si provokim. Në Maqedoni janë gjëra të tjera dhe derisa Shqipëria dhe gjithë të tjerët heshtën, është marrë si provokim. Pak kohë më parë ka pasur diçka të tillë edhe këtu te ne. Prandaj ne kërkojmë që ta shohim vetëm si ndeshje futbolli, që secili të përfaqësojë veten, familjen dhe kombin. Askush nuk mund ta quajë Bardhin, Ferhanin, Visarin, Arjanin dhe Fatonin ndryshe. Ne ju identifikojmë të gjithë juve që jeni bashkë kombasit tanë.

Cila është gjendja e Ferhan Hasanit në stërvitje? Çuditërisht Buba rri në stolin e Partizanit, por në Maqedoni i dinë më së miri cilësitë e tij dhe e tregon vetë grumbullimi në Europian…

“Buba” po stërvitet me intensitet të lartë si gjithë të tjerët. Është pjesë e jona në çdo seancë stërvitore dhe po konkurron për formacionin. Si janë punët te Partizani? Nuk e di dhe nuk më takon që të përzihem me këtë pjesë. Por është duke bërë më të mirën si në të kaluarën. Nëse jeni çuditur me grumbullimin e tij, po ju them se trajneri ka pasur standart interesant duke i besuar të njëjtit grup futbollistësh për një kohë shumë të gjatë, me përjashtime të vogla. Duke parë kontributin e madh që ka dhënë Hasani për Maqedoninë e Veriut, u përfshi në listë pavarësisht minutave të pakta te Partizani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online