Kamza është një ndër klubet më aktive në merkaton e janarit dhe synimi është kompletimi i skuadrës, që vuajti jo pak dëmtimet e pezullimet në pjesën e parë të sezonit.
Trajneri Ernest Gjoka kërkon përforcime në mbrojtje dhe aty klubi po punon fuqimisht.
Linja me Kukësin është e nxehtë, sepse Sport Ekspres zbulon një operacion që pritet të kënaqë dy klubet.
Kamza kërkon Harallamb Qaqin, i cili nuk është i lumtur me situatën te Kukësi, ku ka luajtur pak. Qaqi kërkon të luajë rregullisht dhe Kamza i garanton hapësirë për të treguar sa vlen.
Ndërkaq, Kukësi ka Cuculin dhe Shametin në qendër të mbrojtjes, por kërkon një mbrojtës tjetër niveli dhe duket se po bind Kamzën që të marrë në këmbim Olsi Teqjen. Ky i fundit shkëlqeu në pjesën e parë të sezonit në Kamzë dhe nuk do ishte kundër kalimit te Kukësi, me kusht që të mos mbetet rezervë fikse.
Kamza nuk ndalet këtu, sepse sapo të realizohet shkëmbimi me Kukësin, që pritet të zyrtarizohet sot, do të hidhet në sulm për një qendërmbrojtës tjetër, që është Renato Malota.
Mbrojtësi i Vllaznisë do të kthehej me gjithë qejf në Superiore, pas disa muajsh në Kategorinë e Parë, ndërkohë që Vllaznia nuk do hapte probleme, edhe për faktin se Malota ka pagë të lartë dhe kthimi në Superiore mund të arrihet edhe nëse largohet ish-mbrojtësi i Partizanit e Kukësit.
Qendra e mbrojtjes me Qaqin dhe Malotën do ishte e kompletuar, por Gjoka kërkon sërish përforcime, sepse Hektor Idrizaj është pranë Partizanit. Mbrojtësi kërkon të shfrytëzojë një shans të artë dhe Gjoka nuk do t’ia prishë planet, por drejtuesit e Kamzës duan një mbrojtës tjetër nga Partizani, ose një mesfushor krahu, për të liruar mbrojtësin vlonjat.