Ze Maria merr përsipër faturën e humbjes në derbi dhe startin e dobët të sezonit, sepse Tirana ka vendosur ta largojë.
“Sport Ekspres” mëson nga burime të sigurta se drejtuesit e Tiranës kanë vendosur që trajneri brazilian të mos jetë më trajner i bardhebluve dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi.
Gjithçka është pezull vetëm për shkak të kontratës, sepse Ze Maria refuzon prishje kontrate pa marrë dëmshpërblim, që do të thotë se nëse nuk gjen punë të re, duhet të paguhet deri në fund të kontratës, në mungesë të marrëveshjes.
Krisja është bërë përfundimtare pas derbit, sepse humbja ka qenë një “thikë” në zemër për tifozët dhe drejtuesit e Tiranës, aq më shumë që tashmë bardheblutë kanë vetëm 5 pikë në 6 ndeshje, një bilanc mediokër, me zonën e ftohtë që është vetëm një pikë larg dhe një përballje tepër delikate në mesjavë në Fushë-Krujë, kundër Kastriotit.
Te Tirana prej verës së vitit 2017, Ze Maria rinovoi në qershor të këtij viti, duke qenë trajneri më i paguar në Superiore, ndaj Tirana kërkon të heqë qafe një shpenzim kolosal, duke përfshirë edhe stafin e huaj që braziliani ka me vete.
Ndonëse arriti të rikthente Tiranën në Superiore, që ishte minimumi për çdo trajner normal, Ze Maria nuk ka lënë gjurmë në sezonin e ri dhe tifozët janë totalisht të zhgënjyer, ndërsa edhe në merkato klubi është i pakënaqur me kërkesat e Ze Marisë, pasi lojtarët e ardhur prej Afrika me këshillën e tij kanë rezultuar të panevojshëm në shumicën e rasteve dhe ka pasur edhe shpenzime shumë të mëdha, si në rastin e mesfushorit Muguna, i cili nuk rezultoi goditja e shkëlqyer që shpresohej.