Ekskluzive/ “Këtë nuk e kemi pasur më para”! Meksi zbulon gjithçka nga Skënderbeu: Memelli na bëri të duam vite, dalim me trofe

Nga Klaudio Ndreca

Skënderbeu është një prej surprizave më të bukura në këto ndeshje të fundit që po zhvillohen në kampionatin shqiptar. Shumëkush e cilësoi këtë skuadër si të marrë fund, nisur nga rezultatet e arritura në fazat e para. Korçarët u shndërruan në një thes boksi ku kundërshtarët llogarisnin vetëm sesa herë do ta godisnin.

Me ardhjen e trajnerit Migen Memelli ka ndryshuar gjithçka në skuadër. Duke punuar veçanërisht me aspektin psikologjik, lojtarët e korçarëve dalin në fushë si të barabartë kundër të gjithëve. Këtë e ka pranuar edhe kapiteni Meksi në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”.

Rezultatet e fundit janë mbresëlënëse te Skënderbeu, duke bërë më mirë edhe se disa ekipe që luftojnë për titullin kampion. Çfarë ndryshoi si me magji te kjo skuadër?

Ne kemi filluar që ta njohim më mirë njëri-tjetrin. Me kalimin e ndeshjeve jemi konsoliduar si ekip dhe pas ndeshjeve të mira më në fund po vijnë rezultatet.

Nëse Memelli do të vinte qysh në nisjen e sezonit, mund të luftonte Skënderbeu për titullin kampion? Duket utopi kur bëhet kjo pyetje teksa ju luftoni për mbijetesë, por deri në javët e fundit ishte gjysma e ekipeve që ishin në garë për vendin e parë.

Shikoni, në qershor u largua pjesa më e madhe e ekipit dhe ngelëm pa bosht. Kjo e bëri shumë të vështirë gjendjen. Pavarësisht se i zëvendësuam me lojtarët e rinj, eksperienca bën diferencën në Superiore. Objektivi i klubit ishte promovimi i lojtarëve të rinj dhe të renditeshim në 5 vendet e para.

Trajtimi psikologjik dukej se ishte ilaçi më i mirë i Memellit për të kuruar Skënderbeun. A ishte kjo arsyeja e tjetërsimit tuaj, pasi trajneri iu rriti besimin te vetja?

Normalisht që profesor Memelli na ka bërë që të besojmë te vetja jonë. Të respektojmë veten tonë më shumë se kundërshtari. Po, kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

Mendoni edhe ju se fitorja ndaj Partizanit ishte pika e kthesës së sezonit? Në ndeshjen e fundit që barazuat, te kundërshtarët janë shprehur se ua kanë dhuruar të vetmin rast para porte. Ndiheni sikur keni “vjedhur” dicka?

Ajo që më pëlqen tani mua në ekip dhe që nuk e kemi pasur më përpara është se edhe kur jemi në një ditë “JO” dhe vuajmë shumë, prapë marrim rezultatin pozitiv. Futbollit prandaj është i bukur sepse jo gjithmonë ai që luan më mirë do të fitojë.

Kur jeni shprehur se Apolonia dhe Bylisi do binin nga Superiorja dhe shpëton Skënderbeu, shumëkush qeshi. Kaq shumë i bindur ishe te kjo renditje përfundimtare apo ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar, duke e menduar kështu?

Normalisht që isha i bindur pasi i di cilësitë e ekipit tim dhe e dija që ishim më lart se kundërshtarët për mbijetesë. Thjesht duhej të kishim besim më shumë dhe me ardhjen e Memellit duket që kemi filluar ta duam dhe respektojmë veten.

Përgjegjësi të mëdha mbi shpatulla si kapiteni i Skënderbeut. Si është ndjeshmëria e tifozëve në Korçë dhe për të gjithë skeptikët, a ishte kjo përgjigja për të treguar se vendi i Skënderbeut nuk është në Kategorin? e Parë?

Normale që të jesh kapiteni i Skënderbeut është përgjegjësi e madhe se ka bërë histori në Europë dhe kryesojë në Shqipëri për 10 vite. Tifozët janë të zhgënjyer se nuk janë mësuar që ta shohin ekipin në këtë gjendje. Por besoj se edhe në një sezon të vështirë si ky do të bëjmë maksimumin t’i japim një trofe dhe normale që të qëndrojmë në Superiore. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *