Ekskluzive/ “Jetova 2 vite në shtëpinë e Fernando Torres”, Keidi Bare rrëfen gjithë karrierën: Goli ndaj Liverpulit? E ndieva…

Nga Klaudio Ndreca

Keidi Bare ka qenë gjithmonë aty, duke u cilësuar prej vitesh një nga lojtarët më premtues për të ardhmen e Shqipërisë. Por asnjëherë nuk ka pasur një trajner që të guxojë më tepër dhe të zgjedhë këtë mesfushor të talentuar që të ishte pjesë e Kombëtares A më herët.

Duhej mbërritja e Rejës në krye të kuqezinjëve, që Keidi Bare të mahniste të gjithë tifozët shqiptarë, që u surprizuan dhe i tejkaluan pritshmëritë e tyre. Madje asokohe do të ishin disa specialistë që nuk ngurruan për ta “sulmuar” Rejën, duke i thënë se po bënte një zgjedhje të nxituar.

Në fund ishin po të njëjtët që duartrokitën Baren pas performancave që ka zhvilluar me Shqipërinë duke e ngritur në qiell të shtatë. Në një intervistë të gjatë dhe rrëfim të karrierës për “Sport Ekspres”, mesfushori e thotë saktësisht se këto fjalë dhe kritika vetëm sa e motivojnë për të shkuar sa më larg. Po ashtu si kur mbërriti te Malaga B, që për shumëkënd u cilësua si një zgjedhje e gabuar, pasi ishte pjesë e të rinjëve të Atletiko Madridit. Madje duke shënuar edhe një gol në miqësoren ndaj Liverpulit, që nuk do të harrohet lehtë nga Keidi.

Keidi, një debutim 15-vjeç te Apolonia. Me çfarë përshtypje je larguar prej andej dhe cila ka qenë ndjesia jote e parë kur ke hyrë në fushë me atë fanellë?

Pas një periudhe të gjatë që kam luajtur te Panathinaikosi për shkak të letrave nuk mund të aktivizohesha dot në ndeshjet zyrtare dhe vendosa që të kthehesha 6 muaj në Shqipëri për të luajtur me të rinjtë e Fierit. Pas disa ndeshjesh kam kaluar në ekipin e parë të Apolonisë duke luajtur kundër Kukësit në një ndeshje Kupe. Normale që është emocion i madh që të veshësh fanellën që babai im e ka mbajtur prej shumë vitesh.

Në fakt babai juaj, Artani, të ka qendruar gjithmonë afër. Që nga hapat e parë, e deri tani te Koronavirusi, duke qenë një nga lojtarët shqiptarë më me fat, pasi ke pasur një trajner personal që të stërviste me dashuri dhe jo me para. Pra nëse shohim Keidin sot, shohim edhe dorën e Artanit apo jo?

Është normale që babai im ka qenë dhe është një ndihmesë e madhe për mua. Ne çdo stërvitje individuale e bëjmë bashkë dhe kjo nuk ka qenë vetëm në kohët e karantinës, por edhe në ditë normale që prej shumë vitesh.

Na trego pak më tepër për atë gol që ke shënuar ndaj Liverpulit kur luaje me Atletiko Madridin. Shqiptarët i ke bërë krenar, ndoshta edhe më shumë nga çfarë je ndierë vetë në ato momente…

Që kur u futa në atë ndeshje e ndieja që do të ndodhte diçka pozitive. Do ngelet një nga ditët më të veçanta për mua sepse të arrish deri aty nuk është e thjeshtë. Më pas kur u futëm në dhomat e zhveshjes jo vetëm lavdërimet nga shokët e skuadrës, por edhe mesazhet e shumta nga shqiptarët më krijuan emocione të veçanta.

Gjithashtu e kemi dëgjuar shumë herë prej teje që ke pasur idhull dhe një profil në Facebook me emrin e Fernando Torresit. Ia ke thënë “El Ninos” një gjë të tillë, ndërsa puna jote të solli që të luash edhe me të?

Po është e vërtetë që Fernando Torres ka qenë idhulli im i fëmijërisë dhe nuk mund ta besoja që një ditë do të luaja përkrahë tij. Është e vërtetë që kam pasur një “Facebook” me emrin e tij. Madje edhe dy vitet e fundit në Madrid kam jetuar me qera në një nga shtëpitë e Fernando Torres. Ishte një privilegj i madh për mua pasi plotësova ëndrrën e fëmijërisë që të luaja përkrahë tij.

Për të kaluar më pas te Malaga. Në fillim shkove sërish tek të rinjtë, por do të spikasje në pak ndeshje për të bërë diferencën. Ishte frika e madhe për të ngelur po tek të rinjtë, apo kishe besim në vetvete që do të mbërrije këtu ku je sot?

Kam ikur nga Atletiko sepse unë nuk po aktivizohesha si doja dhe erdha te Malaga me qëllimin për të treguar vlerën time si futbollist. Gjithmonë më pëlqejnë sfidat e vështira dhe nuk kënaqesha duke qenë vetëm në 18-she te Atletiko Madridit. Të them të drejtë nuk kam pasur frikë sepse me punë dhe vullnet arrihet gjithçka. Faktikisht të gjithë menduan negativisht për kalimin tim te Malaga B, por isha i bindur se nuk bëra zgjedhje të gabuar, vetëm sa zbrita dy shkallë më qellimin për t’i ngjitur edhe më lartë.

Trajneri juaj Sergio Garcia Pellicer u cilësoi për “Sport Ekspres” si një lojtar që do të dëshironte çdo ekip. Por mbi të gjitha tha: “Bare luan sikur nuk ekziston një e nesërme”. Pra ky tip lojtari do të mbetesh gjithmonë apo jo, gjithçka për gjithçka në fushë?

Pikësëpari falenderoj trajnerin për këto fjalë të mira. Asnjëherë nuk do të ndryshoj pasi në futbolli nëse nuk jep 100%, asnjëherë nuk bëhesh ai që t’i do të jesh për veten tënde. Jam tip që jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje luaj sikur të mos e ketë një të nesërme. Më tepër ky është tipi im, pasi i tillë jam edhe në përditshmëri.

Për të kaluar pak te Kombëtarja. Njerëzit që të kanë ndjekur ty dhe grupmoshat kuqezi, e dinë që paraqitja jote me Shqipërinë A ka qenë e vonuar madje. Por në ato kohë disa specialistë që kanë frikë nga fryma e re, kanë dalë kundër. Ke ndierë presion me fanellën kuqezi dhe nën drejtimin e Rejës, apo për ty ishte sikur këto zëra të mos ekzistonin?

Shiko, është diçka. Sa më keq të flasin njerëzit, aq më shumë motivohem për të ecur përpara. Kam qenë i gatshëm për të veshur fanellën e Kombëtares dhe nuk kam ndierë kurrë presion, pasi bëj atë që mua më pëlqen më shumë, luaj futboll.

Për ta mbyllur, të shohim në “La Liga” për sezonin tjetër?

Le t’ia lëmë kohës që të kalojë njëherë kjo situata, të shohim për vendimin që do të marrë, megjithëse unë e kam thënë edhe më parë që ndihem shumë mirë këtu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online