Ekskluzive/ “Ernest Muçi si Lionel Mesi? Nuk ishte ide e mirë”! Trajneri i Legias së Varshavës flet për “Sport Ekspres”: Duket se ju në Shqipëri keni……

Nga Klaudio Ndreca

Ernest Muçi është duke kaluar një moment të vështirë te Legia e Varshavës. Lojtari i Kombëtares ka pasur më pak minuta dhe hapësirë në këmbët e tij. Ndërkohë trajneri Vukovic nuk ka ngurruar që ta ul në stol, ta dërgojë në tribunë apo ta dërgojë te ekipi i dytë kur nuk ka parë më të mirën e sulmuesit.

Në një rrëfim ekskluziv për “Sport Ekspres”, trajneri serb, Vukovic, është shprehur se nuk ka asnjë problem tjetër me Muçin sa i përket sjelljes disiplinore, teksa në të kaluarën janë folur jo pak histori. Kur sulmuesi do të mbërrinte nga Tirana te Legia e Varshavës, asokohe trajneri Michniewicz, pasi e pa në dy stërvitje u shpreh: “Ky nuk do të quhet më Ernest Muçi, por Ernest Mesi”. Shumë besoi ish-trajneri te Muçi aq sa në momentin kur ky i fundit shënonte nga distanca, nuk i përmbajti edhe lotët e gëzimit për t’i treguar gjithë opinionit sportiv se krahasimi i tij nuk ishte i pavend. Por për teknikun aktual të Legias, krahasime të tilla duhen shmangur.

“Nuk mendoj se është ide e mirë të krahasosh çdo lloj lojtari me Lionel Mesin, që mund të jetë lojtari më i mirë që ka luajtur në gjithë historinë e futbollit. Muçi është padyshim një talent i madh, ka potencial të madh, ka aftësitë fantastike që i zotëron, shumë kualitet mund të shohësh në këtë djalë të ri. Por ai duhet të provojë në veten e tij, duhet të punojë shumë dhe duhet të nxjerrë më të mirën nga vetja. Kjo varet nga vetja dhe dëshira për të punuar, për të qenë më mirë në çdo ditë. Legia ka qenë marrëveshje e madhe për të dhe duhet të jetë Muçi më i mirë që mund të jetë. Prandaj nuk ka rëndësi që të krahasohesh me të tjerët.

Muçi është djalë i mirë gjithashtu, profesionist. Jo, nuk kam pasur asnjë problem disiplinor me të, me sjelljen e tij. Të gjithë e duan në dhomat e zhveshjes, lojtarët, stafi, unë personalisht. Thjesht mendoj se në një klub si Legia, duhet të punosh dhe të presësh momentin tënd. Unë e kam futur dy herë nga minuta e parë dhe në të dy këto ndeshje, Legia ka humbur. Më pas disa lojtarë të tjerë kanë luajtur në vendin e tij, u paraqitën mirë dhe prandaj Muci duhet të pres sërish momentin e tij. Duhet të vazhdojë të stërvitet dhe të jetë gati për shansin. Duhet të mësosh në jetë dhe Muci duhet të mësojë, për t’u përmirësuar. Momenti i tij do të vijë sigurisht, është vetëm çështje kohe. Nuk ka asnjë çështje tjetër në lidhje me të, por është një situatë normale futbolli”, tha Vukovic.

Nëse për Muçin ka më pak hapësirë, me trajnerin aktual të Legias po përfiton më shumë Jurgen Celhaka. Mesfushori po gjen minutat e tij dhe në shumë ndeshje e ka nisur edhe nga minuta e parë, teksa në të kaluarën nuk aktivizohej. Në intervistën e tij për “Sport Ekspres”, Vukovic ka komplimentuar edhe lojtarët shqiptarë nisur nga dy profilet me të cilët punon vetë në Poloni, të paktën nga ana njerëzore.

“Jurgen Celhaka? Dua të them të njëjtën gjë, shumë profesionist dhe djalë i mirë. Duket se ju në Shqipëri keni vetëm djemë të mirë, e them nga eksperienca ime dhe mënyra sesi unë i shoh gjërat, nga ana personale, duke u nisur nga të dy këta lojtarë. Është e vërtetë që unë nuk e njihja Celhakën kur erdha, pasi nuk kishte luajtur më parë. Më pas nisi që të luante më shumë pasi e meritonte. Po stërvitet shumë, po punon shumë. E kam konsideruar si një lojtar shumë të rëndësishëm për ekipin. Në disa ndeshje ka luajtur edhe nga minuta e parë. Unë nuk e di nëse ju jeni të ndërgjegjshëm sesa klubi i madh është Legia e Varshavës dhe në mes të kësaj situate të vështirë që ne po kalojmë, ata kanë pasur minutat e tyre. Që të dy janë të talentuar dhe dua të movitoj për të ardhmen, pasi mund t’i marrin shumë karrierës së tyre. Jam me fat që punoj me të dy këta djemë”, përfundoi Vukovic. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *