Ekskluzive/ “Duartrokitje për Armand Dukën, me Silvinjon për 4 vite”! Alliu jep një shpjegim interesant: Ngecëm te Hysaj dhe Uzuni, Broja do t’i kthejë “borxhin” Shqipërisë

Ilir Alliu ka komentuar ndeshjen e fundit të Kombëtares, e fituar në shifrat 2-0 kundër Polonisë. Ishte një ndër zërat e pakët që në fillim të këtij rrugëtimi kur ka shprehur një opinion pozitiv rreth Silvinjos, ndërsa kritikët kishin jo pak material: “Shqipëria nuk është autoshkoll që ky trajner të mësojë dorën”.

“Dielli duket që në mëngjes”, thuhet zakonisht dhe Alliu arriti të kuptonte një energji ndryshe që po vinte Kombëtares me brazilianin, kur nuk ishte zbardhur ende. Në një tjetër intervistë për “Sport Ekspres”, Alliu vlerësoi rezultatin fantastik kundër polakëve, përfshirë edhe atë 20 minutësh jo shumë të mirë të Kombëtares.

“Polonia e ka potencialin e duhur për të na vendosur në vështirësi dhe në 20 minuta ia arriti që të na mbante nën presion. Jo të rrezikshëm, por nën presion. Gjendja e emocionale e lojtarëve tanë, mbingarkimi, ndikon te kjo pjesë e ndeshjes. Duhej ai goli që për fat të mirë iu anulua polakëve, që Shqipëria të zgjohej dhe të fillonte të hidhte sytë nga kundërshtari.

Për fat të mirë Asani ishte në formë shumë të mirë, goli ishte meritë e gjitha individuale, nuk ishte aksion i ndërtuar nga lojtarët tanë. Ndërtoi aksionin vet, gjeti pozicionin vet dhe goditja ishte në pozicion të vështirë. Kështu u përmbysën balancat. Polonia ishte e parrezikshme në portën tonë, në 30 metrat e fundit luante futbollin irlandez, me rivënie anësore të hedhura në zonën e rreptësisë dhe me shpresën te goditjet standarte. Shqipëria i dha goditjen e “knock-out” shpresave të Polonisë për të kaluar në Europian dhe kjo nuk është pak, se polakët shiheshin si favoritët për të fituar grupin.

E vetmja mënyrë sesi shpresonin të shënonin ishin nga goditje standarte, nuk na vendosi kurrë në vështirësi me prodhim loje. Kjo Shqipëri luan me zemër dhe me mend, është e disiplinuar taktikisht. Është fati i madh i joni që Silvinjo ka luajtur në nivelet e larta dhe di ta përcojë te lojtarët sesi është të luash në presion të lartë.

Në ambientin sportiv, dominon një lloj skepticizmi, përgjithësisht xhelozie, sigurisht e pajustifikuar. Faktet flasin vet, fusha, rezultati, cilësia e lojës. Në fund të fundit, t’i përballesh sot me 4 rezultate rresht pozitive, ti përballesh me 3 ndeshje rresht që nuk e ke problem gjetjen e golit, si brenda dhe jashtë fushe. Sot ti përballesh me një situatë ku edhe lojtarët e stolit kanë cilësi po aq sa ata që luajnë.

Broja? Shqipëria po e dërgon në Europian dhe tani i takon Brojës që në Europian, të mbajë mbi supe Shqipërinë dhe të na tërheqi përpara në rrugën drejt suksesit. Nëse më parë nuk bënim dot pa të, Silvinjo ka luksin që ta pres i qetë Brojën tani. Me rëndësi është që Broja të kthehet sa më mirë në gjendje dhe të jetë gati për Kombëtaren, por me Kombëtaren e Silvinjos nuk e kemi problem për të dalë te goli. Pra Broja mund ta nisi edhe nga stoli tani dhe Shqipëria të ketë një armë të fortë ku Broja edhe ka treguar që edhe me 20 në fushë, të zgjidh ndeshjen.

Duam apo nuk duam ne, ky sukses ka dorën e Silvinjos, por edhe të “njerëzve të padukshëm”, skautëve, Federatës që krijon kushtet e duhura. Armand Dukës duhet t’i japim një kompliment të madh sepse këto vite ka kërkuar trajnerë, me dikë e godet dhe me dikë jo, por në këtë rast duhet një duartrokitje e madhe për Dukën pasi përzgjedhja e tij rezultoi e suksesshme. Jo vetëm sepse jemi afër Europianit, por tani kemi një identitet për lojën e Shqipërisë dhe autoritetin tonë. Tani ekipet e tjera nuk na shohim më si dikur. Një meritë të madhe ka Duka për zgjedhjen e trajnerit, pastaj pjesa tjetër e suksesit i përket vetëm stafit teknik”, tha Alliu.

Por një shpjegim interesant vjen për bllokimin në 20 minutat e para. E teksa e pyesim nëse Hysaj po luan më mirë tani, pa peshën dhe përgjegjësinë e shiriti të kapitenit, Alliu theksoi një detaj, edhe për Uzunin. Ai nuk dëshiron të kritikojë askënd pas një mbrëmje të madhe në Air Albania, por nëse flitet për korrigjime, për të janë dy krahët që nuk funksionuan.

“Nëse marrim parimin “fituesi nuk gjykohet”, jam dakort, të mos e gjykojmë. Por edhe në ndeshjen më të mirë të Kombëtares që është bërë, prapë ka gjëra për t’u korrigjuar. E di që nuk është mirë të korrigjosh në këtë moment, por nëse më pyesni se çfarë kishte për t’u korrigjuar ndaj Polonisë, ishte pikërisht vendosja e Hysajt dhe e Uzunit në fushë. Rishikojeni ndeshjen dhe do ta kuptoni. Ne në 20 minutat e para u bllokuam sepse nuk funksionim dot në të dy krahët. Nëse nuk ke krahë, nuk merr dot gjerësi në fushë dhe nëse nuk merr dot gjerësi në fushë, nuk bën dot qarkullimin e topit. Kjo sepse në çdo top të dërguar në drejtim të tyre ose bllokohej menjëherë nga kundërshtari ose kthehej mbrapsht. Gjërat që janë evidente, janë ato dhe ne duhet t’i themi. Hysaj dhe Uzuni nuk e kryen dot funksionin e tyre në ato minuta, por kjo është analiza teknike e atyre minutave, nuk duhet të prishim këtë atmosferë me kritika sigurisht”, u shpreh ish-lojtari i Kombëtares.

Por a mund të ndodh që Silvinjo të tundohet nga ofertat e shumta nëse dërgon Shqipërinë në  Europian?  “Shiko, Duka ka të gjitha mundësitë dhe ka të gjithë intuitën për të kuptuar se po vjen koha që Silvinjos t’i zgjatet kontrata. Mendoj se për këtë projekt, që të shkojmë sa më larg, duhen të paktën katër vite që t’i marrim maksimumin. Silvinjo mund të largohej direkt nga Shqipëria pas Europianit vetëm nëse kuptonte se kjo Kombëtare e ka deri këtu maksimumin e saj dhe nuk mund të shkojë më shumë. Por nuk e besoj. Nuk e besoj sepse ai po kërkon për lojtarë të rinj, për lojtarë të cilët do të japin për shumë gjatë kontributin e tyre dhe e parë në këtë këndvështrim, ky projekt është shumë më i gjatë sesa kaq”, përfundoi Alliu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online