Egnatia sfidë politikës, Hazbiu: Nuk presim më gjatë!

Egnatia ka marrë pushimet që nga mbyllja e kampionatit. Sinjalet për riorganizimin e skuadrës kanë munguar, kushtëzuar kjo edhe nga administrimi bashkiak i klubit. Deri më tani është larguar mbrojtësi lushnjar Ledion Ruço, ndërkohë që sekretari i klubit Petrit Hazbiu deklaron për SportEkspres.com se të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm.

“Nga përfundimi i kampionatit të kaluar Egnatia e ka ruajtur skuadrën. Kemi vetëm një largim jozyrtar të mbrojtësit Ledion Ruço. Gjatë kësaj periudhe kemi mbajtur kontakte me të gjithë futbollistët e tjerë, të cilët kanë treguar gatishmëri për të nisur përgatitjet e sezonit të ri. Nuk mund të presim më gjatë, nga data 16 korrik mendojmë që ta sfidojmë politikën e të nisim përgatitjet”, theksoi sekretari i klubit rrogozhinas.

Ndërsa për merkaton dhe axhendën e përgatitjeve, Hazbiu deklaroi se gjithçka do përqendrohet fillimisht në Rrogozhinë. “Ne e kemi të miratuar fondin deri në fund të vitit 2019 dhe me financat jemi në rregull. Ndaj do të nisim përgatitjet fillimisht këtu në Rrogozhinë, më pas edhe në bashkëpunim me bashkinë e re do të shohim ku do zhvendosen përgatitjet, por edhe si do ndërhyjmë në merkato. Kalimi i Egnatias në Grupin A nuk përbën ndonjë problem, përkundrazi na motivon më shumë”, u shpreh Hazbiu.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *