Bajerni i Mynihut u mund në Berlin të premten e shkuar dhe natyrisht është tema e ditës, sepse në Gjermani një humbje e bavarezëve është dhurata perfekte për mediat.
Sport 1 ka intervistuar një legjendë të Bajernit, Stefan Efenberg, i cili si gjithmonë nuk e vret mendjen për diplomaci dhe sulmon trajnerin Niko Kovaç për rotacionin e vazhdueshëm.
“Rotacion OK, por jo në mënyrë të vazhdueshme, sepse nuk ka logjikë. Ka momente gjatë sezonit ku duhet të luash me formacionin më të mirë, ndërsa rotacioni futet në lojë vetëm në periudha të ngarkuara, si në Krishtlindje, pas ndeshjeve të kombëtareve, apo kur vjen faza finale e sezonit. Në këtë moment nuk e kuptoj këtë ngut për të ndërruar 6-7 lojtarë për ndeshje, sepse Bajerni duhet të mendojë të shkëputet në Bundesligë dhe të fitojë grupin në Champions”.
Pas ndeshjes në Berlin Zherom Boateng u kritikua ashpër, por Efenberg nuk është dakord: “Tepër e lehtë të fajësosh vetëm një lojtar, nuk mund të gjendet arsyeja e humbjes vetëm të gabimet e Boateng. Ishte një ndehsje e keqe për të, duket qartë që nuk është në nivelin që ka qenë, por është lojtar shumë i rëndësishëm për Bajernin dhe thjesht duhet të kthehet në formën maksimale, fizikisht e psikologjikisht”.
Per ish-mesfushorin e famshëm humbja në Berlin është diçka pozitive: “Në Gjermani të gjithë e dinë që Bajerni është tepër superior dhe lojtarët e Bajernit ndoshta mendojnë se me 80% të rendimentit mund të fitojnë ndaj çdo rivali. Nuk është ashtu dhe ndoshta tani e kanë kuptuar që duhet të kapin maksimumin e vet në çdo ndeshje”.