Ardian Cuculi do të jetë pjesë e Kukësit sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi me eksperiencë ka nënshkruar me verilindorët dhe pritet vetëm të njoftohet zyrtarizimi i tij. Por afrimi i tij pritet që të sjellë edhe largime në repartin e mbrojtjes. Gjithsesi te Kukësi nuk mund të nxitohen.
Momentalisht në kontratë është vetëm Qaqi dhe Zguro, të afruar gjatë merkatos së verës. I pari me siguri nuk ikën, kurse pogradecari është në dyshim. “SportEkspres.com” ka njoftuar se Kamza po e pret lojtarin e linjës së majtë.
Ardhja e Cuculit (luan edhe si mbrojtës i majtë) mund t’i hapë rrugë largimit të tij, por më parë duhet gjetur marrëveshja me Simo Rrumbullakun për rinovimin e kontratës. Gjirokastriti del lojtar i lirë pas ndeshjeve të kupave të Europës. Kukësi nuk e ka luksin t’i ikin të dy.
Albi Alla gjithashtu del lojtar i lirë, ashtu si Rustem Hoxha e Ylli Shameti. Këta dy të fundit me shumë mundësi do të rinovojnë dhe së bashku me Qaqin e Cuculin do formojnë katërshen e qendrës së prapavijës. Pas ndeshjes së dytë me Torpedon pritet të saktësohet gjithçka.