“Edi, sa keq të jesh shqiptar”! Titulli kampion “na hap sytë”, vlerësimi i munguar për njeriun e suksesit

Në Shqipëri ka gjithmonë një vlerësim të tepruar për trajnerët e huaj dhe ky vjen si shkak i një mendësie të gabuar në tërësi në vendin tonë. Duke i shuar tërësisht vlerat e njerëzve që jetojnë në këtë vend, të ardhurit nga jashtë i presim si të kenë shpikur vetë futbollin. Gjatë gjithë kësaj kohe është folur për shumë trajnerë, por duhej mbërritja deri në javën e fundit të sezonit 2020-2021 për të kuptuar se kush po shkon drejt titullit kampion.

Edi Martini! Në momentin që do të merrte Teutën pas largimit të Bledi Shkëmbit, pas disa rezultateve negative që nuk bindën drejtuesit e klubit, shumëkush zgjodhi të kritikonte “zgjedhjen e gabuar” pasi Martini nuk kishte eksperiencën e nevojshme. Por le të ndalemi pak te rezultatet.

Menjëherë pas ardhjes te ekipi durrsak do të arrihej triumfi në Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Për më tepër Teuta u kthye në “macen e zezë” të Tiranës. Kjo ka vlerën e një trofeu të tretë pasi bardheblutë e Egbos ishin të pandalshëm në rrugën e tyre duke i marrë të gjithë kundërshtarët përpara.

Me cilësi, grup të bashkuar dhe shpeshherë edhe fatin që i vinte në ndihmë, Tirana nuk mund të ndalej nga askush tjetër veçse Teutës. E rezultatet pozitive në ndeshjet direkte ishin tregues i qartë se mbrapa tyre qëndronte dora e trajnerit, që e kishte gjetur skemën sesi mund të ndalej edhe më i miri i kampionatit.

Ndërkohë edhe aventura në Europë nisi në mënyrë mbreslënëse teksa durrsakët mundën Beitar Jerusalem në shifrat 2-0. Pavarësisht se buxhetet e klubeve nuk kishin të krahasuar, skuadra shqiptare dërgoi në shtëpi përpara kohe kundërshtarët izraelit që u shokuan për atë që gjetën në Durrës.

Pra suksesi i arritur nuk ishte vetëm në nivelin e futbollit shqiptar, por edhe në rrugën europiane. Për të vazhduar me këtë sezon aktual ku Teuta është vetëm një hap larg titullit kampion dhe trofeut të tretë në kaq pak kohë drejtimi të Martinit. Ky shndërrim i durrsakëve në këto kohë të fundit vjen për pasojë të punës së bërë nga ana e trajnerit, pa harruar këtu meritën e lojtarëve dhe drejtuesve të klubit.

Imagjinoni për një moment nëse ky teknik nuk do të ishte shqiptar. Mendoni se do të pritej kaq gjatë që t’i jepeshin meritat dhe duartrokitjet nga gjithë opinioni sportiv, për gjithë punën e bërë në këto kohë? Ne shqiptarët jemi shumë të çuditshëm, duke bërë të kundërtën e vendeve europiane.

Nëse një futbollist i huaj shkon në një vend europian duhet që të bëjë dyfishin e punës së vendasit për ta lënë në stol. Ndërkohë në vendin tonë është trajneri i huaj që vjen në vendin tonë dhe bën asgjë për të shuar trajnerët vendas, duke i lënë në harresë dhe duke fituar vëmendjen. E njëjta panoramë ofrohet edhe me futbollistët!

Për më tepër merita më e madhe qëndron për faktin se Martini di t’i bëjë ballë përgjegjsisë dhe nuk tërhiqet kurrë. Pavarësisht se titulli mungon prej shumë vitesh te Teuta, trajneri nuk është tërhequr nga përgjegjësia siç ndodhi me skuadrat e tjera dhe trajnerë të tjerë.

Durrsakët ishin e vetmja skuadër nga katër ekipet që pretendonin titullin, të cilët nuk e shprehën kurrë se u arrit objektivi i tyre për të shkuar në Europë, por kërkonin vetëm fitimin e trofeut. Kjo përkëthehet në marrje të përgjegjsisë në fundin e sezonit nëse nuk dilej në vendin e parë. Pra Martini e mbajti deri në fund “veshjen e favoritit”, sado e madhe binte për të, duke marrë përsipër edhe “çmimin e shtrenjtë”. Megjithatë ka kohë ende për të festuar dhe asgjë nuk ka mbaruar pasi Vllaznia është aty për t’i prishur gjithë magjinë. Në fund të fundit ky është futbolli, prandaj është i bukur dhe emocional. Sidomos nëse flasim për zonën e Ballkanit merr shpeshherë nota dramatike që mund të krahasohen më së miri vetëm me bursën: “Fle si hero dhe zgjohesh si zero”. Pas gjithë kësaj pune mbreslënëse, rezultateve fantastike dhe trofeve që ka sjellë te Teuta në kaq pak kohë, çfarë do të ndodhte me Martinin nëse lëshonte në fund titullin kampion në rastin se Vllaznia fiton me më shumë gola avantazh ndaj Laçit?

Me siguri që valixhet do të bëheshin gati! Por në Durrës nuk duhet të mendojnë kaq gjatë dhe variantin më të keq pasi logjika flet në favorin e tyre dhe titulli është gati që të largohet nga kryeqyteti. Ajo që kërkohet në këtë rast është që Teuta të vazhdojë projektin e bashkëpunimit afatgjatë dhe të jap shembull edhe për skuadrat e tjera të Superiores sesi duhet të ecet përpara. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online