Xhenaro Gatuzo, dihet, është një “sanguin”, një ish-futbollist që në karrierën e tij nuk ka pasur teknikë dhe cilësi, por i ka mjaftuar grinta, fiziku, aspekti atletik dhe sidomos guximi për t’ia dalë… Karakteristika të njëjta edhe si futbollist, aq sa ta pret shkurt kur do të thotë diçka.
E megjithatë, edhe një si “Rino” ka frikë. Cila? E tha sot, pas stërvitjes së zhvilluar pasdite me kuqezinjtë, të cilëve i është bashkuar edhe Higuain dhe Kaldara, teksa grupi ka qenë i plotë, pas ardhjes nga SHBA.
Stërvitjen e kanë ndjekur Leonardo dhe Maldini, dy ikona kuqezi, sot në rolin e drejtuesve… “Shumë presion për mua dhe është e çuditshme, por edhe diçka e bukur. Të kesh Maldinin dhe Leonardon të të ndjekin stërvitjen. Shpresoj të vijnë sa më shpesh, sepse kemi nevojë për personazhe si këto. Të gjithë futbollistët prekin me dorë ata që kanë shkruar historinë dhe mund të shkëmbejnë edhe disa biseda… E gjitha, energji pozitive”.
Për rikthimin në Milanelo ka folur edhe Maldini, duke thënë se “për mua është bukur të vij këtu, është si një shtëpi e dytë, si “San Siro”. Gatuzo që stërvit? Tashmë u mësova, pasi e kam parë edhe vjet. i njoh vlerat e tij dhe nuk më befason asgjë”.