E veçantë/ 50% e golave të Vllaznisë janë shënuar në 3 ndeshje! Situata te shkodranët, mes meritave dhe përgjegjësive të Brdariç

Vllaznia ka arritur që të fitojë ndeshjen e djeshme kundër Teutës në shifrat 4-2, por tifozët shkodranë kanë sërish arsye për të mos qenë të kënaqur. Një ndeshje që pritej të ishte e qetë dhe në kontroll pas 3 golave të shënuara, u kthye papritur në një histori të rihapur pasi shifrat shkuan në 3-2. Për më tepër që ekipi nuk është në vendin e duhur, Vllaznia duhej të ishte më afër titullit kampion.

E veçanta qëndron në faktin se shkodranët kanë shënuar në total 29 gola në 20 ndeshje, ndërsa vetëm në ndeshjet Vllaznia-Teuta, Laçi-Vllaznia dhe Vllaznia-Dinamo numërojnë 15 gola të shënuara. Pra në vetëm 3 takime ekipi ka arritur të shënojë 50% e golave në total. Ndërkohë në 17 ndeshje e tjera kanë shënuar vetëm 14 gola, duke mos arritur as pragun e 1 gol për ndeshje.

Brdariç është krenuar në ditën e djeshme pas ndeshjes me Teutën, se ekipi i tij krijon më shumë raste se gjithë ekipet e Superiores. Megjithëse nga ana tjetër filozofia mbrojtëse lë shumë për të dëshiruar, teksa skuadra kapet në situata si në dy golat e djeshëm të durrsakëve, që janë të pafalshme për një ekip si Vllaznia që kërkon titullin kampion.

Më tepër sesa Vllaznia në 5 vendet e para ka pësuar vetëm Kukësi, një më tepër, që u riformatua nga e para në verë. Madje edhe Partizani që kaloi në krizë të thellë në një fazë e tëpër kampionat, mes gafave qesharake të portierit dhe mbrojtjes, numërojnë ende 16 golave të pësuar, ndryshe nga 20 të Vllaznisë.

Le të themi se duke kërkuar meritën dhe duke harruar përgjegjësinë, Brdariç i mëshon fort krijimit të aksioneve. Të ngelemi pak edhe në këtë pjesë. Kjo pikë e fortë e pompuar nga trajneri gjerman është më tepër meritë e tij apo e drejtuesve të klubit? Me një Latifi-Da Silva që në disa ndeshje kanë pasur edhe shkëlqimin e Aralicës, i cili krijon shumë raste dhe i shpërdoron ato para portës, a është kjo një treshe e ngritur nga vetë Brdariç apo këta lojtarë e kanë në aftësitë e tyre që të kenë këtë volum loje?

Për të vazhduar më tej, Gurishta-Hakaj, a është kjo dyshja e mbrojtjes më e mirë sa i përket aspektit të ndihmës që i jep ekipit në sulm? A është e krijuar nga Brdariç apo janë lojtarët që e kanë në karakteristikat e tyre që të jenë pjesë e futbollit modern, ku mbrojtësave të krahut i kërkohet edhe sulmi?

E për të qëndruar edhe te mesfusha, ku edhe aty kemi një emër si Jonuzi që ka shumë aftësi për të krijuar aksione. Vllaznia e vjetshme ka mbajtur bërthamën dhe është shtuar në cilësi, pa pasur një gabim të pafalshëm të drejtuesëve për heqjen e ndonjë lojtari yll dhe mos afrimin e zëvendësuesit në merkato.

Pra e thënë më thjeshtë, a mund të merrte një tjetër trajner më shumë pikë sesa Brdariç tani me Vllazninë? Po, e saktë, trajneri gjerman i ka dhënë filozofi sulmuese kësaj skuadre, por mos të harrojmë se shkodranët e kanë pasur në “gen” këtë filozofi loje, madje edhe në ditët e tyre më të vështira.

Një ekip që luan në sulm dhe paradoksalisht shënon më pak se 1 gol për ndeshje në ditën normale dhe që nga ana tjetër pëson 1 gol për ndeshje. E gjithë kjo analizë dhe statistikë duhet të shërbejë vetëm për Brdariç, për të kuptuar se merita e pompuar në media si e tij, në fakt është edhe një luks për gjermanin nga arm.ët e vendosura në dispozicion. Ndërkohë për të gjitha përgjegjësitë, asnjëherë nuk merren qartë për të kërkuar falje, por gjithmonë thuhet mes rreshtave: “Do të punojmë për ta rregulluar problemin”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *