Nevil Dede ka komentuar situatën e Vllaznisë në kampionatin shqiptar. I ftuar i përhershëm në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, Dede ka treguar me analizën e tij gjithë krizën e përjetuar nga shkodranët. Kur pyetet në lidhje me diferencën e madhe që kishte në dy fazat e para Vllaznia në kryesim dhe mënyrën sesi e humbi, paraqitet një ide tërësisht ndryshe nga ato që kemi dëgjuar deri tani.
“Të gjitha ekipet që kanë qenë në kryesim kanë gabuar, nuk kanë bërë fitore rresht. Duke hequr këtu kohën kur Vllaznia kryesonte me meritë. Gara është shumë e bukur, me tifozë do të ishte spektakolare. Si garë po them, pasi në cilësi ka shumë probleme.
Vllaznia? Shoh që kritikohemi shumë në rrjetet sociale, por jemi këtu për të dhënë mendimin tonë. Fillimisht dua të them se Brdaric ka humbur besimin te ata lojtarë që kanë mbajtur peshën kryesore. Tani sulmuesi i parë që ka mbajtur 90 përqind të ndeshjeve nuk është më zgjedhje e parë. Dicka nuk shkon. Nuk duhet të ndërrohen kaq shumë zgjedhje në kaq pak kohë. Përse e la kreun Vllaznia pas aq diference të madhe?
Është edhe diçka që nuk e kemi thënë kurrë më parë. Nëse do të ishte një prej ekipeve pretendente për titull me aq pikë diferencë sa Vllaznia, ekipet e tjera do të mobilizoheshin më shumë pasi do të thonin se nuk e kapim dot. Është edhe psikologjike kjo pjesa. Thonë se Vllaznia është hirushja e kampionatit, por duhet princi që të vijë dhe ta marri. Pra duhet të fitojë Kupën tani”, ka thënë Dede. /Sport Ekspres/