E pabesueshme, por e vërtetë: mrekullia e Abelardos me Alaves!

Nëse jeni zgjuar sot në mëngjes dhe keni parë tabelën e renditjes në La Liga, me siguri i keni fërkuar sytë. Alaves në vendin e parë në kampionat! Është realitet, nuk ju kanë bërë sytë. Sigurisht që të gjithë janë të habitur, kur kujtojnë që vjet ishin skuadra më e rrezikuar për ta lënë elitën e futbollit spanjoll.

Kur Xhani De Biazi u shkarkua, Alaves renditej në vendin e fundit në klasifikim dhe Abelardo Fernandez mori përsipër një detyrë të vështirë. Në fund ia doli, skuadra e tij shpëtoi nga rënie. Deri këtu gjithçka “OK”, është diçka që e kanë bërë edhe klube të tjera.

Renditja e La Liga kur e mori drejtimin e Alaves Abelardo

Por sot në mëngjes, kur ende ekipet e tjera nuk kanë luajtur, Alavesi është i pari në klasifikim. Nuk ka shpenzuar miliona, por ka një ekip kompakt. Tomas Mina, mesfushor spanjoll, shënoi mbrëmë golin e vetëm dhe të fitores ndaj Selta Vigos në transfertë.

Fitorja e pestë në nëntë javë. Kanë humbur dy ndeshje dhe barazuar dy, për të pasur në renditje plot 17 pikë. Kush e kishte menduar se do të ndodhte diçka e tillë! Nuk është se kanë ndonjë mbrojtje blind, pasi kanë pësuar 8 gola. Tre prej tyre ia ka shënuar Barcelona.

Renditja në La Liga tani

Sa i takon golave të realizuar, 12 herë e kanë gjetur rrugën e rrjetës lojtarët e Alaves. Shënuesi më i mirë është Ibai Gomes, mesfushori 28-vjeçar që më parë ka qenë pjesë e Athletik Bilbaos. Ai ka shënuar tre gola.

Pina, Garsia, Burgui dhe Torres janë lojtarët e tjerë të mesfushës që kanë shënuar nga një gol. Kaleri dhe Sobrino janë sulmuesit kryesorë dhe kanë realizuar nga dy herë. Edhe Baston ka provuar shijen e golit, për të plotësuar totalin e atyre që ka shënuar Alaves.

Sigurisht, Abelardos tani nuk mund t’i kërkohet titulli kampion. Deri më tani puna e tij është shumë e mirë dhe rezultatet janë ato që flasin më së miri. Reali, Atletiko dhe Barcelona janë poshtë tyre në renditje. Diçka e tillë nuk ndodh çdo ditë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *