Merkato e janarit nuk ofron shumë mundësi për të përforcuar ekipin. Lojtarët me kualitet janë nën kontrata dhe askush nuk dëshiron t’i largojë, të tjerë mund të hasin probleme përshtatje dhe përgjithësisht tregu nuk ofron shumë alternativa.
Përgjithësisht ndodh kështu, por jo për Elazigspor. Klubi turk, që garon në divizionin e dytë, ka kryer një operacion gjigant në merkato. Ata kanë ofruar 22 lojtarë dhe gjithçka ka ndodhur brenda… dy orëve!
12 prej tyre janë blerë përfundimisht, ndërsa dhjetë të tjerë kanë ardhur në huazim. Një rekord absolut në botën e futbollit, madje Elazigspori mund të përfundojë dhe në librat Guinness.
Diçka pothuajse e pabesueshme, por pse drejtuesit vendosën të prisnin momentet e fundit të merkatos për të vepruar? Federata turke i kishte bllokuar merkaton klubit që renditet në vendin e parafundit dhe po bën të pamundurën për të qëndruar në kategori.
Drejtuesit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën dhe sapo kanë marrë lejen për të bërë merkato, ata kanë “shpërthyer” duke mbyllur plot 22 marrëveshje.
“Dua të falënderoj të gjithë pjesëtarët e klubit që ndihmuan në realizimin e kësaj arritjeje. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën për bllokimin që na kishin bërë, por dhe me lojtarët që donim të ofronim në skuadër. Sapo na u hoq dënimi për të bërë merkato, filluam kontaktet me lojtarët dhe mbyllëm të gjitha transferimet brenda dy orëve“, foli për “ESPN”, ish-presidenti i klubit turk.