“E ndiqnim prej kohësh”, transferohet Egzon Binaku

Egzon Binaku ka ndryshuar skuadër dhe nuk do të jetë pjesë e Malmos në vazhdim. Mbrojtësi i majtë do të jetë pjesë e Norrkonping, edhe pse kishte edhe dy vite kontratë me Malmon. Nuk bëhen me dije detaje të marrëveshjes. Një vit më parë Malmo kishte paguar 915 mijë euro për kartonin e Binakut te Hacken.

“E kemi ndjekur Egzonin për një kohë të gjatë dhe kur kuptuam se mund ta merrnim, u hodhëm në sulm për ta veshur atë me fanellën e IFK Norrkonping.  Ai është një lojtar që i përshtatet politikave tona. Është një lojtar i shpejtë, mjaft i mirë në duelet një për një.

Do të luajë javën tjetër. Normalisht edhe atij i duhet koha e mjaftueshme për t’u përshtatur dhe për të njohur më mirë klubin. Gjithkush ka nevojë për një periudhë përshtatje dhe ne e presim Egzonin”, deklaroi menaxheri i Norrkonping, Jens Gustafson.

“Kohët e fundit nuk kam pasur shumë hapësira dhe për këtë arsye vendosa të nis një sfidë të re. Edhe pse gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç unë kam shpresuar, jam i lumtur për kohën që kam kaluar te Malmo. Kam pasur shumë momente të bukura. Dua t’i falënderoj të gjithë për vitin që kemi kaluar. Ka qenë shumë inkurajuese të luaj përballë tifozëve të Malmos”, ka deklaruar Binaku për faqen e ish-klubit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *