Shqipëria luan me Islandën dhe Moldavinë, ndërkohë që në fillim të javës u shpall edhe lista e lojatërve që trajneri Edi reja do të kishte në dispozicion për këto dy përballje. Së fundmi ka ndryshime në listë dhe për shkak dëmtimesh nuk do të jenë Ledian Memushaj dhe Egzon Binaku, kurse Marash Kumbulla do i bashkohet Shqipërisë U21. Asnjë prej tyre nuk do të zëvendësohet nga lojtarë të tjerë.
“Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45. Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë.
Po ashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet. Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me U-21 në datë 3 qershor për transfertën e Turqisë”, njofton FSHF.