Kastrioti siguroi ngjitjen në Superiore me trajnerin Samuel Nikaj në stol, ndërkohë që shkodrani gjatë periudhës që drejtonte krutanët deshi afrimin e mesfushorit Adenis Shala. I riu njihej mirë nga ish-trajneri i Kastriotit, i cili e dinte se ishte një objektiv i vështirë në merkato.
Shala la Vëllaznimin në Kosovë shkurt të këtij viti dhe iu bashkëngjit skuadrës së Fenerbahçes. Ai u testua te gjiganti turk dhe më pas u bë pjesë e ekipit të dytë. Te Fenerbahçe ai arriti të luajë në 11 ndeshje, tetë prej të cilave si titullar.
Mesfushori anësor e mbylli sezonin në Turqi dhe së fundmi ka lëvizur sërish. Futbollisti 20-vjeçar, i cili është edhe pjesë e Kosovës U21, para pak ditësh i është bashkuar ekipit ukrainas të Vorlska Poltava. Shala do të luajë me ekipin e dytë, me shpresën që do të bindë drejtuesit dhe të kalojë në ekipin e parë. Te klubi ukrainas është edhe mbrojtësi i Kosovës Ardin Dallku.