Vetëm pak ditë në Shkodër, prezantim dhe… kërkesë për largim: A është e mundur që një gjë e tillë të ndodhë? E ka bërë Nurudin Orelesi, mesfushori i njohur i cili në Shqipëri ka luajtur me disa klube dhe ka shkëlqyer me Dinamon e Skënderbeun. Nigeriani dëshiron të provohet tek një ekip në Egjipt dhe ka kërkuar të lihet i lirë, raporton faqja “Sport nga Bajraktari”. Drejtuesit e Vllaznisë kanë refuzuar prerë, duke i treguar kontratën, ndaj të paktën deri në janar mesfushori duhet të qëndrojë te Vllaznia.
Për të afruar atë në skuadër, shkodranët sakrifikuan mbrojtësin boshnjak Popovac, duke e larguar nga prova që ishte tek kuqeblutë, pasi ishte pranë firmës, por nënshkrimi i kontratës me Orelesin ndryshoi gjithçka, sepse nigeriani pranoi idenë e të luajturit si qendërmbrojtës.