Mançester Siti u shpall kampione e Anglisë një ditë më parë, por ka diçka që shqetëson anglezët. “New York Times” raporton se “Qytetarët” rrezikojnë të dënohen dhe të mos marrin pjesë në Champions League. Klubi anglez thuhet se është përfshirë në një hetim dhe pretendohet që ka parregullsi në bilancet e paraqitura. Akuzat për mashtrim janë të rënda dhe nëse do vërtetohen do të sjellin dënimin e Sitit.
Hetimi ka nisur prej muajsh dhe janë marrë në shqyrtim marrëveshje të shumta financiare që klubi i Premier League ka bërë. Dy javë më parë thuhet se grupi hetimor ka pasur një mbledhje në Nion të Zvicrës dhe kanë nxjerrë konkluzionet e tyre.
Pikëpyetja më e madhe lidhet me kohën e aplikimit të dënimit. Gjasat janë që Siti të mos lejohet të garojë në Champions në sezonin 2020-2021, pasi nëse dënohet për sezonin e ardhshëm atëherë do të ketë një apel të anglezëve në CAS dhe pa një dënim përfundimtar atëherë vendimi i UEFA-s përkohësisht nuk do të hynte në fuqi. Në qeverinë e futbollit europian duan të jenë të matur në vendimin që do të marrin.