Elvis Plori ka marrë fitoren e parë me Vllazninë ndaj Skënderbeut. Goli i vetëm është shënuar nga Esin Hakaj në të 55 pasi u gjend para portierit. Korcarët shpërdoruan dy mundësi të arta në të parën me Mensah dhe Viktor. Ndërkohë Dumfur u ndëshkua me karton të kuq në të 62 për një ndërhyrje që nuk gjen vend në futboll. Kjo është fitorja e parë e Vllaznisë në drejtimin e Plorit.
Ndërkohë shumë emocione u dhuruan te Kastrioti-Egnatia. Një përballje që nisi me përplasje që kur ekipet mbërritën në stadium. Selmani dhe Pedro kishin shumë për të sqaruar pa filluar ndeshje, teksa u përfshin edhe stafet e ekipeve. Sa i përket fushës së blertë, Pedro shënoi i pari në të 60. Hasani do të barazonte në të 70, ndërsa Egnatia humbi shansin e avantazhit.
Gëzim Krasniqi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 80, me ekzekutimin që u prit nga portieri Sali. Vetëm gjashtë minuta më vonë ishte Greca që përmbylli fitoren e Kastriotit. Kjo fitore ka përcaktuar jo pak fatet e kampionatit. Dinamo dhe Skënderbeu janë ekipet që do të bien direkt në Kategorinë e Parë, megjithëse ende jo zyrtarisht, ndërsa Egnatias i thellohen diferencat ndaj Teutës në 5 pikë duke mbajtur vendin e Play Out. Më poshtë gjeni intervistat e trajenrëve për “Supersport”:
Ramadani: “E dinim se do të ishte e vështirë. E analizuam mirë kundërshtarin dhe po e prisnim në zonën tonë, për ta goditur në kundërsulm dhe nga krahët. Kishim avantazhin, kishim edhe një penallti pasi u barazua rezultati. Nuk ishte fati në anën tonë. Penalltitë i humbet ai që i godet. Këtu ka ndikuar edhe pritja që na bëri Kastrioti. Pedro Augusto kishte thonjtë në fyt, presion i madh. Unë e di që jam i huaj, por jam shqiptar dhe e kuptoj gjuhën shqipe. Është e turpshme që kolegu im të më shaj dhe të më ofendoj në atë mënyrë. Më prekën ato momente, por nuk është ky niveli im dhe ia ktheva me një buzëqeshje”.