Esat Mala është kthyer në një çështje, pasi dyshohej se nuk ka dashur të luajë në takimin kundër Andorrës me Shqipërinë U21. Gjithsesi ai nuk u përfshi në ndeshjen e Partizanit kundër Kukësit, duke bërë që gjithçka të sheshohet këtu në njëfarë mënyrë. Një qëndrim mbi atë që tha Alban Bushi, trajneri i të rinjve kuqezi, e ka mbajtur menaxheri i Malës, Denis Cani.
“Gjej rastin të bëj një qëndrim zyrtar në lidhje me deklaratën e fundit të trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi, sa i takon lojtarit që unë përfaqësoj, Esat Malën. Mala ka pësuar një dëmtim një ditë përpara ndeshjes ndaj Andorrës dhe, pas vëzhgimit nga ana e mjekëve të Kombëtares, u përcaktua inflamimi i tendinës së kuatricepsit dhe për arsye objektive, mjekët dhe lojtari vendosën që të mos rrezikojnë me situatën e krijuar.
Esat Mala është një lojtar, i cili e ndjen shumë fanellën e Kombëtares dhe ka këmbëngulur për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi, pavarësisht se ka pasur opsione të tjera. Askush nuk mund të vërë në dyshim profesionalizimin e tij dhe ndjenjat e tij. Kombëtarja është gjëja më e shtrenjtë për Malën, por tani jemi të fokusuar tek ëndrra e madhe e quajtur Partizani”, shkruan menaxheri Cani.
ÇFARË THA BUSHI – “Mala ka qenë i dëmtuar në gju. Unë do ndjek atë dhe dy tre lojtarë të tjerë këtë javë nëse do të luajnë, pasi me ekipin kombëtar A ose U21 nuk mund të bësh shaka, kur vjen aty duhet të japësh maksimumin. Nëse një lojtarë është i dëmtuar me ekipin kombëtar gjatë ditës së martë e të mërkurë, ndërsa ditën e premte jep 100% e tij, atëherë është shumë e vështirë që të jetë përsëri pjesë e kombëtares.
Stafi mjekësor më tha se ka një tërheqje në ligament. Doktori më tha se do ishte e pamundur që të luajë për të paktën një javë. S’dua të përmend emra, por dy ose tre trajnerë marrin lojtarët e tyre duke u thënë mundohuni të luani 30 minuta në Andorra ose fare pasi kemi ndeshje në kampionat. Çdo lojtarë duhet ta dijë se fanella e kombëtares është e shtrenjtë, gjithsesi në grumbullimin e ardhshëm mund të kemi 2 ose 3 mungesa nga këto lojtarë që thashë”, deklaroi Bushi mes të tjerash në konferencë.