Presidenti do të presë që De Biazi të marrë drejtimin e një skuadre tjetër, për të ndërprerë pagesën e tij, ose menjëherë të gjejë një alternativë të përfshirë në bordero, si Bushi dhe Bogdani
Anton Cicani
Shqipëria nuk bën dot përpara me trajner shqiptar, ky është opinioni i pandryshueshëm i Armand Dukës dhe në këtë pikë thuajse gjithë tifozët e kombëtares bien dakord me të, përtej kritikave që mund të kenë ndaj presidentit të FSHF-së. Dje Duka tha se nuk kishte ende asnjë plan për trajnerin e ri dhe mund të ishte shqiptar ose i huaj, por ishte një deklaratë kalimtare, që është korrigjuar dje.
“Kanë mjaftuar 24 orë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve dhe kanë qenë dhjetra, apo qindra mesazhe që më kanë mbushur telefonin”, konfirmon për Top Channel Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. “Personalisht po kërkoj një trajner italian”, shton më pas Duka, i cili ëndërron një operacion po aq të suksesshëm sa ai “De Biazi”, goditja më madhështore në karrierën e numrit 1 të futbollit shqiptar. Emra ka shumë, por për momentin Duka preferon të presë, pasi duhet të zgjidhë edhe një dilemë tjetër: trajner i huaj menjëherë, apo në fund të edicionit aktual për të kursyer dhjetëra mijëra euro. Por, ka edhe diçka tjetër. Në fakt, presidenti i FSHF-së është duke menduar dy zgjidhje të tjera, përpos deklaratave mediatike.
Zgjidhja 1 – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në bisedën e gjatë me Xhani de Biazin dhe në shtrëngimin e parë të dorës, atë pas darkës që kanë shijuar në Durrës (I dyti erdhi në konfernecë, por ai ishte thjesht një çast mediatik), i ka siguruar trajnerin Italian se do të paguajë rrogën e mbetur një më një, pa asnjë borxh. Deri në tetor, duke përjashtuar qershorin, në fakt, janë tre muaj dhe, duke bërë një llogari të thjeshtë, janë diku te 100 mijë euro. Por, megjithatë, numri “1” e FSHF-së e di mjaft mirë se tekniku do të zgjedhë një ekip tjetër dhe s’e ka lluksin të qëndrojë një vit pushim, pra pa marrë një klub, duke qenë se do të ishte humbje kohe, do të zhdukej nga qarkullimi dhe do të ishte dëm ekonomik për xhepat e Xhani de Biazit. Natyrisht, vetëm dy javë do të jetë koha e pritjes, duke qenë se De Biazi këto ditë do të pushojë me familjen, i lodhur dhe stresuar. Kontaktet do të vijojnë telefonikisht me Kinën, Spanjën dhe Italinë, pa harruar edhe një thirrje nga Azerbajxhani. Dhe, në momentin që do të japë “OK”, atëherë Duka do të nisë të shohë një tjetër trajner, të huaj, sigurisht.
Zgjidhja 2 – Më e mundshmja. Duke qenë se Xhani de Biazi e ka me “terezi”, presidenti mund t’I japë drejtimin e kombëtares Alban Bushit. “Loku”, prej shumë vitesh, që kur hoqi dorë nga futbolli i luajtur, pjesë e federatës shqiptare të futbollit, edhe pse s’e ka deklaruar asnjëherë zyrtarisht, e ka ëndërr të marrë atë stol të cilin e ka lakmuar në plot 4 vjet pranë Xhani de Biazit, nga i cili ka mësuar shumë. Sot drejton U-21, por kjo s’do të ishte asnjë pengesë,pasi flasim për një ngjitje në karrierë dhe një mundësi e artë për të. Do të mjaftonin edhe katër ndeshje, ato ndaj Italisë, Spanjës, Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. Më pas, gjithçka do të bëhej me logjikën e të ardhmes. Sigurisht, Bushi do të ishte bast i Dukës. E gjitha kjo edhe për të kursyer dhe qëndruar Brenda normave, pasi “Loku” do të përfitonte të paktën 10 fish rrogë më pak se De Biazi.