Elbasani ka bërë hapa të mëdhenj në fazën e tretë, ku vetëm në dy ndeshjet e fundit ka mundur të grumbullojë 6 pikë, dhe ka lënë fundin e zonës së mbijetesës në Grupin B.
Me 15 pikë dhe +5 pikë nga Tomori, elbasanllinjtë shkojnë në Berat në ndeshjen e javës së 26-të me synimin për fitore, dhe këtë trajneri Marsid Dushku e quan të mundshëm si objektiv, edhe pse kjo është një ndeshje transfertë dhe me një rival direkt për mbijetesë.
Për SportEkspres.com, Dushku deklaron se ndjen keqardhje që këto dy skuadra ndeshen në këto pozicione të vështira në renditje. Duke e pranuar këtë realitet, tekniku i Elbasanit e quan transfertë të vështirë.
“Të dyja skuadrat janë në pozicione të vështira për mbijetesë, ndaj edhe përballja jonë me Tomorin e kësaj shkalle është. Më vjen keq që këto dy skuadra janë në këto realitete, por ne do të bëjmë punën tonë pë të marrë makismumin”.
“Ne shkojmë në Berat për fitore, dhe këtë unë e mbështes te gjendja e mirë e skuadrës pas fitores së fundit me Apoloninë, por edhe në diferencën e pikëve që kemi me Tomorin. Ne edhe një barazim na bën punë, ndaj them se çdo rezultat pozitiv është në favorin tonë”, përfundoi trajneri i Elbasanit.
AGRON KAJA