Trajneri i Flamurtarit thekson se skuadra e tij kërkon maksimumin në çdo ndeshje: Ndeshje delikate në Durrës. E respektojmë Teutën, por duam pikë
Elton Nika
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, rikthehet në stol pas pezullimit dyjavor që mori, për shkak të deklaratave të tij në lidhje me gjykimin në Shqipëri. Ai mungoi në ndeshjen e kupës ndaj Partizanit dhe në fitoren 2-0 ndaj Lushnjës në Vlorë. Në Durrës do të jetë në stolin e Flamurtarit dhe shpreson në fitoren e radhës. Për këtë transfertë shumë të fortë, edhe pse kundërshtari ndodhet në pozita kritike në këtë moment, trajneri kryeqytetas kërkon impenjim maksimal nga skuadra. Trajneri Duro thekson se asgjë nuk duhet lënë pas dore në këtë sezon, pa menduar aspak çfarë ndodh me Skënderbeun: “Me Teutën duhet të bëjmë maksimumin. Kundërshtar ka kualitet dhe natyrisht që na duhet të jemi në maksimumin tonë. Teuta nuk është në një situatë të mirë dhe për këtë kam keqardhje, por nuk duhet të neglizhojmë. Duhet të jemi në nivelin e zakonshëm dhe jemi duke u përgatitur mirë, pavarësisht se do të kemi mungesa nga kartonët dhe dëmtimet. Do të shikojmë këto ditë që kanë mbetur si do të jetë gjendja këtyre të fundit”, – theksoi në fillim trajneri i Flamurtarit.
KUPA PRIORITET – “Po, e kemi prioritet Kupën e Shqipërisë, por duhet të shikojmë edhe kampionatin, pasi ka ende kohë. Jemi në gjysmëfinale të kupës dhe kemi mundësi reale për ta fituar këtë trofe. Do të ishte diçka e bukur”.
SKËNDERBEU – “Për Skënderbeun do të thosha se nuk përfitojmë nga fatkeqësitë e të tjerëve. Duhet të shikojmë punën tonë deri në fund të sezonit, duke i marrë ndeshjet me radhë. Nuk duhet të mendojmë çfarë ndodh me Skënderbeun”.
KAMPIONATI – “Kemi marrë një fitore shumë të rëndësishme me Lushnjën, që na mban në vend të dytë. Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë në kampionat, edhe me Lushnjën ishte shumë e vështirë. Tashmë duhet të shohim ndeshjen e radhës me Teutën, një kundërshtar që siç e thashë meriton gjithmonë respekt. Situata ku ndodhet kundërshtari nuk aspak e mirë, por duhet të shohim vetëm punën tonë dhe të marrim fitoren. Gjatë këtyre ditëve do të vijojmë të punojmë maksimalisht për këtë përballje shumë të rëndësishme. Teuta do të luftojë fort dhe e shoh një ndeshje delikate. Të shohim ndeshjen e radhës, ky është objektivi i Flamurtarit në këtë kampionat”, – ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.