Flamurtari gati për kampionatin dhe Skënderbeun që luan në javën e parë të Superiores. Franc Veliu humbet takimet e para dhe ky është shqetësimi i vetëm i trajnerit të vlonjatëve
Elton Nika
Pas një verë të ngjeshur me afrime dhe largime, dy faza përgatitore jashtë vendit, Maqedoni dhe Greqi, tashmë gjithçka kalon në plan të dytë, ndërsa tani nis rituali i ndeshjeve zyrtare. Dhe vlonjatët prej disa ditësh, përgatitjet i zhvillojnë pikërisht, duke pasur në fokus ndeshjen me Skënderbeun, skuadra që arriti historinë këtë verë në Kupat e Europës, ndaj edhe vëmendja mbetet maksimale për të zhvilluar një ndeshje sa më të mirë në Korçë dhe natyrisht të shoqëruar me rezultat pozitiv. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro konfirmon se periudha e ngarkesave ka përfunduar dhe seancat stërvitore janë të gjitha në fokus të ndeshjeve të kampionatit.
– Duro tashmë mendohet kampionati apo jo?
– Po padyshim. Faza përgatitore ka përfunduar dhe ne jemi duke menduar për kampionatin. Natyrisht që kemi ulur disi edhe ngarkesën në stërvitje dhe kjo është e natyrshme, duke pasur në konsideratë që pas disa ditësh do të luajmë ndeshjen e parë zyrtare të kampionatit, pikërisht në transfertën e Korçës.
– Një fazë përgatitore cilësore?
– Padyshim që do ta quaja kështu. Gjithçka ka shkuar mjaft mirë, me përjashtim të ditëve të fundit, ku kemi pasur ndonjë kontraktim, apo edhe dëmtimin e Franc Veliut. Kjo e fundit ishte edhe ajo çfarë na krijon më shumë shqetësim, megjithatë në vija të përgjithshme, duhet të pranoj se gjithçka ka shkuar mjaft mirë.
– Veliu që duket se do të mungojë?
– Për ndeshjet e para të kampionatit nuk do ta kemi në dispozicion, por të shpresojmë që të jetë sa më shpejt në skuadër. Kemi folur edhe me stafin mjekësor dhe jemi duke e monitoruar situatën për Veliun, por ashtu siç edhe thashë më lart, nuk do ta kemi në ndeshjet e para të kampionatit.
– Prisnit edhe një tjetër miqësore?
– E vërtetë, por për arsye të ndryshme ndeshja me Apoloninë nuk u zhvillua. Ishte miqësorja e fundit para nisjes së kampionatit. Në Vlorë nuk mund të luhej për shkak të punimeve në fushë, ndërsa në Fier ka pasur shumë ngarkesë gjatë këtyre ditëve në fushën e stadiumit të tyre.
– Ndaj Skënderbeut,e nisni në transfertë në Korçë?
– Ka ende kohë, por natyrisht që kemi nisur të mendojmë për këtë ndeshje. Skënderbeu ka bërë një verë mjaft cilësore në Kupat e Europës, duke kaluar edhe në grupe, ndaj do të luajmë një ndeshje shumë të vështirë. Gjithsesi, ka ende kohë për ta përgatitur dhe ne kemi synimet tona për këtë përballje shumë të rëndësishme, ku duam ta nisim sa më mbarë sezonin.