Duro i bindur: Titulli, një pikë larg. Partizani nuk ka rivalë!

Partizani kryeson bindshëm kampionatin dhe java e ardhshme sjell një përballje mjaft të rëndësishme të të kuqve me Kukësin e vendit të dytë. Shpëtim Duro, ish-trajner i skuadrës kryeqytetase, në një intervistë për “SportEkspres.com” thekson se një barazim mes dy rivalëve për titull do i mbyllte llogaritë për trofeun.

Sipas Duros, Partizani nuk ka kundërshtarë. Tekniku i njohur flet edhe për ndeshjet e tjera që u luajtën këtë javë, tensionin e krijuar në ndeshjen Kastrioti-Tiranan në Fushë-Krujës, si dhe për ndërprerjen e kampionatit.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa të pritshme ishin rezultatet e javës së 25-të të Kategorisë Superiore?
– Kukësi nuk mendohej të humbiste në Korçë, po kështu as Tirana me Kastriotin në Fushë-Krujë. Barazimi i Laçit me Flamurtarin edhe pritej. Në tërësi të katër ndeshjet fiksuan rezultate interesante.

Sa përcaktues për renditjen janë rezultatet e javës së 25-të të Kategorisë Superiore?
-Çdo javë ka shumë rëndësi për rezultatet që shënojnë skuadrat. Duke qenë se u luajt e 25-ta dhe jemi drejt fundit, mendoj se deri në fund çdo rezultat do të jetë përcaktues për të gjitha skuadrat.

Me fitoren ndaj Teutës, Partizani shkoi +9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë. A e ka vënë realisht një dorë te titulli skuadra e Gegës?
-Ndoshta kjo është njëra-dorë e Partizanit tek titulli kampion, sepse në ndeshjen e javës së ardhshme me Kukësin do të zbardhet më shumë se si do të shkojë gara për kreun. Edhe barazimi e mbyll garën për titullin. Partizani duket se nuk ka kundërshtarë.

Edhe këtë javë pati tension, si i komentoni këto problematika?
 -Unë mendoj se FSHF-ja nuk duhet të licencojë stadiume si ai në Fushë-Krujë. Tashmë duhet të mendojnë të gjithë pjesëmarrësit në garën e Superiores, se dhuna është elementi nga i cili jo vetëm futbolli, por edhe individët janë të humbur. Si Kamza!

Kampionati do të ndërpritet përsëri, sa i shërben kjo vazhdimësisë së garës?
-Janë ndërprerje të detyruara. Kjo e kësaj jave ka qenë e planifikuar, pasi luan Kombëtarja. Ndërsa ajo e një jave më parë erdhi e kushtëzuar nga bojkoti i drejtë i arbitrave. Disa skuadra përfitojnë, disa të tjera dëmtohen nga këto ndërprerje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *