Duro: Fitore e merituar, në moment të vështirë. Në janar përforcohemi

0

Trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro ka folur për fitoren ndaj Kamzës, duke u ndalur te loja e skuadrës së tij dhe duke folur edhe për të ardhmen, pasi është e qartë që Flamurtarit i duhet ndonjë përforcim në mesin e fushës, ku i duhet pak fantazi.

Një mbrojtës shënon gol dhe Flamurtari merr fitore.

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, një ndeshje e vështirë, sepse vinim pas 3 barazimesh dhe psikologjikisht kundërshtari ishte në pozita më komode, duke ardhur nga dy fitore. Në këtë situatë, na duhej patjetër fitorja, por kundërshtari u mbrojt gjatë gjithë 90 minutave. Ishim më mirë, e kërkuam me të gjitha format golin dhe isha i bindur që do shënonim.

Kreu, është i arritshëm, me synimin për 3 vendet e para?

Kemi ndryshuar gjithçka këtë sezon, kam mendimin që të ecim me këtë ritëm deri në dhjetor, ndërsa më pas do të ketë vetëm korrigjime të vogla dhe me lojtarë cilësorë. Nuk ka më ndryshime të mëdha, por vetëm rregullime, sepse kur e bën skuadrën nga e para, natyrisht jo gjithçka do bëhet në mënyrë perfekte.

Skema më e mirë për Flamurtarin?

Ka momente loje kur kam luajtur me 4-3-1-2, ka funksionuar në ndeshjen me Bylisin, ndërsa kemi ndryshuar në ndeshje të tjera, në varësi të kundërshtarit. Edhe sot ashtu luajtëm, ndërsa në 20 minutat e fundit ndryshuam, pasi duhej të ruanim avantazhin dhe të mbroheshim mirë nga krahët. Në fund kaluam në mbrojtje me 5, për të mbrojtur rezultatin që arritëm në 15 minutat e fundit.

A ndihet mungesa e një lojtari me fantazi, që organizon dhe jep pasimin e fundit?

Sa për fantazistin, ka vend për korrigjime, është e vështirë kur e bën skuadrën nga e para. Nëse gjithçka do të ecë sipas planeve tona, presim që në janar të gjejmë ndonjë lojtar me ato cilësi, përndryshe do të qëndrojmë kështu si jemi, sepse skuadra është e mirë.

Do të luani kundër Partizanit, Kukësit e Skënderbeut në 3 ndeshjet e ardhshme. A ëndërroni të kapni kreun?

E kam thënë që sidomos në dy ndeshjet e fundit kemi lëshuar pikë të rëndësishme, që duhej t’i merrnim, por futbolli i tillë është ndonjëherë, nuk i merr pikët ku mendon se e meriton, ndërsa i merr në ndonjë ndeshje me fat. Nuk shohim aq larg, i marrim ndeshjet një nga një, më pas të shohim në janar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.