Duro: Faza greke është vendimtare, po konsolidohemi dita-ditës

Vlonjatët do të luajnë edhe me Apollon Kallamaria në Selanik. Trajneri vlerëson gjendjen e ekipit dhe faktin që deri tani nuk ka pasur asnjë dëmtim

 Elton Nika

Flamurtari vijon fazën përgatitore në Greqi dhe trajneri Shpëtim Duro, si gjithmonë, është i kënaqur  me skuadrën dhe kushtet në Veria. Vlonjatët ndodhen në tokën greke prej datës 12 gusht, ndërkohë që tashmë është konfirmuar edhe ndeshja e parë miqësore, që do të luhet më 19 gusht, por do të ketë edhe dy të tjera më  23 gusht dhe e fundit më 26 ose 27 gusht. Trajneri Duro shpreh vlerësimet e tij për sjelljen e skuadrës në fazën përgatitore dhe ka shumë besim për një nisje të mbarë të kampionatit të ri, ku të gjithë presin ndryshimin e madh të Flamurtarit në lojë dhe në rezultate. Ja çfarë thotë konkretisht trajneri Duro në intervistën për “Sport Ekspres”:

– Duro, prej 12 gushtit Flamurtari ndodhet në Veria. Mund të na thoni në çfarë gjendje është skuadra?

– Jemi duke kryer pjesën e dytë të fazës përgatitore dhe mund të them se kushtet janë mjaft të mira. Edhe temperaturat janë të freskëta dhe na lejojnë të punojmë me dy seance në ditë. Jemi të përqendruar totalisht te përgatitjet dhe për këtë jam i kënaqur. Duhet të pranoj se kjo është faza e dytë e rëndësishme, pas përgatitjeve në Mavrovë.

– Keni pasur probleme deri tani me dëmtimet?

– Fatmirësisht, jemi duke punuar me grup të plotë, me përjashtim të dy lojtarëve Sidibe dhe Kamara, të cilët u vonuan për shkak të vizave, por që tani do të jenë pranë skuadrës. Nuk kemi pasur probleme me dëmtimet dhe kjo është shumë e rëndësishme  për një trajner dhe stafin e tij, sepse punon në kushtet më të mira, kur ka në dispozicion gjithë grupin. Dihet që në një fazë përgatitore mund të ketë edhe dëmtime, por një gjë e tillë nuk na ka ndodhur dhe duhet të jemi të gëzuar.

– Tashmë keni gjetur edhe kundërshtarin e parë për miqësore. Sa ju ndihmojnë ndeshje të tilla në këtë moment?

– Të shtunën do të luajmë ndaj skuadrës Aleksandria, që merr pjesë në kategorinë e dytë greke, por nga informacionet që kam marrë, është një skuadër me lojtarë të afruar edhe nga Superliga greke. Eshtë një skuadër, që kërkon të shkojë në elitë, falë edhe investimeve që po bën. Nuk do të jetë një miqësore e lehtë dhe them se kjo ndeshje do të na vlejë shumë. Na ndihmojnë shumë ndeshje të tilla për të konsoliduar grupin, duke ditur që ka shumë lojtarë të ardhur në ekip.

— Por kjo nuk është ndeshja e vetme, apo jo?

– Jo, pas 23 gushtit do të luajmë kundër Apollon Kallamariasë në Selanik, ndërsa ndeshjen e tretë e kemi më 26 ose 27 gusht, para kthimit në Shqipëri, me një kundërshtar që ende nuk e kemi gjetur. Por nuk ka shumë rëndësi kundërshtari, sepse këto miqësore janë për të parë gjendjen e skuadrës dhe mënyrën si do të luajmë para nisjes së kampionatit.

– Kampionatin e nisni me një kundërshtar shumë të vështirë si Skënderbeu. Si e mendoni?

— Fillimisht, i uroj sukses Skënderbeut në Europë, ndërsa për kampionatin ka ende kohë. Do të mendojmë pas rikthimit në Vlorë për ndeshjen e parë. Tani rëndësi ka vetëm faza përgatitore dhe mbyllja e saj me sukses në Veria të Greqisë, ku ndodhemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online