Trajneri i vlonjatëve pret fitoren e parë në Vlorë, teksa vlerëson skuadrën e Kamzës. Gjithashtu ai ka edhe një mesazh për arbitrat, që deri më tani e kanë dëmtuar Flamurtarin
Elton Nika
Flamurtari luan përballë Kamzës në javën e shtatë të Superiores, një përballje që pritet me mjaft interes edhe për vetë faktin se të dyja skuadrat janë aktualisht me pikë të barabarta në renditje, nga 9 pikë secila. Takimi për skuadrën vlonjate vjen pas dy transfertave radhazi dhe tre barazimeve, ndaj synimi mbetet fitorja dhe rikthimi te tre pikët, që janë objektivi i vetëm për këtë ndeshje. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e ka cilësuar ndeshje të rëndësishme përballjen me Kamzën, ndërsa nuk kanë mbetur jashtë diskutimit edhe gjykimi.
-Profesor Duro, java e shtatë ju vë përballë Kamzës, skuadër që ka të njëjtat pikë. Si e gjykoni këtë sfidë?
Padyshim vlerësim për kundërshtarin, që ka bërë mjaft mirë deri më tani në kampionat. Është një skuadër që ka në gjirin e vet lojtarë cilësorë dhe e vlerësojmë, por ne do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë dhe të kërkojmë rezultat nga kjo ndeshje, rezultat maksimal. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe jemi përgatitur në kuadër të kundërshtarit që kemi përballë, pasi çdo ndeshje është e ndryshme.
-Gjatë kësaj kohe është folur shumë edhe për gjyqtarët. Çfarë mund të na thoni?
Është një temë që në fakt nuk dua aspak t’i rikthehem, por të mendoj vetëm për ndeshjen. Por padyshim që vendimet e gjyqtarëve kanë ndikuar në rezultatet tona dhe kjo është mjaft e dukshme në ndeshjet që kemi zhvilluar si në Durrës, Shkodër, apo ndaj Laçit. Megjithatë unë kisha dëshirë që gjyqtarët të mos jenë protagonistë në vendosjen e rezultateve, jo vetëm në ndeshjet e Flamurtarit, por në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Pra, të mos ndikojnë me vendimet e tyre.
-Flamurtari do të ketë edhe një protestë 15-minutëshe. Cili është synimi?
Natyrisht që kjo vjen edhe si pasojë e kërkesës së tifozëve, të cilët kanë të drejtën e tyre të jenë të indinjuar për vendimet që kanë ndikuar direkt në rezultatet e skuadrës. Megjithatë kjo protestë bëhet edhe si një shenjë sensibilizimi ndaj gjyqtarëve, por edhe institucionit, për të mos patur më probleme të tilla.
-Si vjen Flamurtari në këtë përballje?
Skuadra është e plotë, fatmirësisht nuk kemi mungesa për shkak dëmtimesh dhe kjo është diçka pozitive. Gjendja e lojtarëve është mjaft e mirë dhe presim një ndeshje shumë të luftuar këtë të diel, natyrisht duke patur edhe mbështetjen e publikut tonë në këtë 90-minutësh.
-A priten ndryshime në formacion?
Në fakt, krahasuar me dy ndeshjet e fundit në transfertë, nuk besoj të ketë lëvizje. Mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël në çastet e fundit, por gjithsesi për këtë do të vendosim para ndeshjes. Deri më tani skuadra dhe lojtarët që kanë zbritur në fushën e lojës kanë qenë gjithmonë duke dhënë më të mirën dhe mendoj se mund të ketë vetëm ndonjë ndryshim të vogël.
-Besojmë se objektivi i vetëm është fitorja këtë herë për Flamurtarin?
Vijmë pas tre barazimeve radhazi, dy në transfertë. Mendoj se në dy ndeshjet e fundit, pavarësisht se në transfertë, duhej të kishim marrë më shumë, ndoshta nëse jo 6 pikë, katër padyshim. Por gjykimi ndikoi në rezultat. Duhet të kuptojmë se nga gjashtë ndeshje të zhvilluara deri më tani, pesë i kemi luajtur në transferta. Tani luajmë në Vlorë dhe padyshim qëllimi dhe objektivi mbeten vetëm tre pikët, pa nënvlerësuar aspak kundërshtarin që kemi përballë. Deri më tani pikët më shumë i kemi marrë jashtë Vlorës dhe ka ardhur momenti që të fitojmë në fushën tonë, pavarësisht se është vetëm ndeshja e dytë në stadiumin Flamurtari.
Vetëm një dilemë për formacionin
Trajneri Duro ka vetëm një dilemë, teksa nëse do të ketë ndryshim në formacion nga ndeshja e shkuar, pritet që Musta të zhvendoset në mesfushë, ndërsa Mersini në krahun e majtë të mbrojtjes. Megjithatë nuk përjashtohet që skuadra ta nisë nga fillimi ashtu si në ndeshjen e fundit në Laç.
Formacioni i mundshëm (4-3-2-1)
Nurkoviç – Siljanovski, Bicaj, Jakovljeviç, Musta – Useini, Pollozhani, Sidibe – Juffo, Alvesh – Bushiç