Duka rrëfen çelësin e suksesit: Tri arsyet pse më votuan në Komitetin Ekzekutiv

Armand Duka do të jetë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe ky është një sukses personal për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe për futbollin tonë. Në një intervistë të dhënë për “ABC Neës”, ai tregon edhe tre “armët” që përdori për të kërkuar votën.

“Tre arsyet që kam kërkuar të jem: eksperienca që unë kam në drejtimin e FSHF dhe duke qenë anëtar dhe drejtues në disa komisione në UEFA dhe në FIFA. Europa përbëhet nga shumë vende dhe ka nevojë Komiteti Ekzekutiv që të ketë në përbërjen e tij përfaqësuesin e një vendi specifik apo të vogël”, tregon Kreu i Federatës, i cili më tej theksoi se ka pasur mbështetje edhe nga vendet e rëndësishme evropiane.

“Mbështetja ime ka qenë nga të gjitha rajonet, kryesisht nga Europa Qendrore. Të gjithë vendet e mëdha, duke filluar nga Anglia, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Austria, Hungaria, Polonia, vendet nordike më kanë mbështetur pothuajse të gjithë. Vendet nga ish-Bashkimi Sovjetik kanë pasur një lloj skepticizmi ndofta dhe sepse nuk e njohin shumë mirë Shqipërinë, nuk e njohin shumë mirë realitetin”. shtoi Duka.

Kreu i FSHF-së ka pasur edhe mbështetjen e Serbisë. “Ky nuk është votim politik, është votim sportiv. Marrëdhëniet me të gjitha federatat janë korrekte. Luajmë kundër njëri-tjetrit. Hyjmë në fushë që të fitojmë kundër njëri-tjetrit. Ka një lloj solidariteti dhe vendet e rajonit në përgjithësi kanë qenë pozitive, e kanë mbështetur kandidaturën time”, deklaron numri një i futbollit shqiptar..

Më tej ai thekson se nuk është se Shqipëria do të ketë më shumë mbështetje meqë u zgjodh pjesë e Komitetit Ekzekutiv: “Shqipëria nuk ka vuajtur në realizimin e projekteve të veta nëpërmjet FIFA-s apo UEFA-s. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse është mbështetur kandidatura e Shqipërisë ,sepse një vend si Shqipëria, të paktën vetëm me dy projektet e mëdha të vitit 2019, stadiumin e Tiranës dhe zyrat, pothuajse asnjë federatë nuk ka finalizuar projekte të tilla. Nuk është ky qëllimi i anëtarësimit në Komitetin Ekzekutiv. Qëllimi është për të kontribuar bashkërisht për të tërën”, tha ai.

“Të qenit pjesë e një organizate shumë të rëndësishme si UEFA apo FIFA, pjesa e të qenit anëtar i një komuniteti europian apo botëror i futbollit, është patjetër pjesa e kënaqësisë, pjesa e lumturisë e të qenit president i Federatës së Futbollit. Pjesa e menaxhimit të brendshëm të garave, e probleme, e pengesave, policia, arbitri, ankesa, kontestime është pjesa e halleve të mëdha”, u shpreh Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *