Armand Duka është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur duke emëruar në stolin e kombëtares shqiptare Kristian Panuçin. Pas De Biazit, pritej një emër me peshë për ta çuar Shqipërinë përpara, ndaj të shumtë janë ata që janë habitur, sepse edhe vetë Duka kishte deklaruar se dëshironte trajner me eksperiencë.
Megjithatë, në një intervistë në emisionin “Wake Up” në Top Channel, Duka sqaron logjikën që e çoi te zgjedhja e Panuçit.
“Italianët janë më të disiplinuarit në botë për futbollin dhe disiplina është shumë e rëndësishme në këtë sport. 80% e mendimit teknik në Federatë, por jo vetëm, ka qenë e mendimit se duhet të kishim një trajner italian, pasi shkolla e tyre ka sjellë trajnerë të suksesshëm. Kjo është një nga gjërat kryesore që të merrnim trajner italian”, tha Duka.
Për sa i përket eksperiencës, Duka bën një krahasim interesant: “Ne e kemi pasur ëndërr ta shohim në televizor dhe jo më “live”. Është një nga emrat më të mëdhenj ndër vite të futbollit italian. Duhet ta kemi për nder që e kemi këtu. Ka bërë shumë mirë atje ku ka trajnuar. Nuk besoj që ka më pak se Zidan”, është shprehur Duka, duke iu referuar francezit të famshëm, i cili nuk kishte drejtuar asnjë ekip profesionist para Realit.