Ish-lojtari i Milanit duhet të vendosë nëse do të vijojë projektin me Venecian në Serinë B, ose të marrë vendin e De Biazit. Oferta kuqezi e rëndësishme, dyfish me atë që fitonte vitin e fundit. Kamoleze, ide vetëm si drejtor teknik…
Anton Cicani
Ishte viti 1995 dhe luhej Parma-Teuta në “Tardini”… Ishte ai momenti kur Filipo Inzagi u njoh me shqiptarët dhe e kuptoi se përtej Adriatikut ishte një popull i cili jetonte me kulturë e Italisë dhe kishte mësuar shumë nga “axurrët”… Një gol, i pari në Europë nga SuperPipo Inzagi, i realizuar në fitoren 2-0 ndaj durrsakëve… Hera e dytë e Pipos me shqiptarët, një ndeshje e zhvilluar në “Qemal Stafa” mes Milanit dhe Tiranës, në turneun “Taçi Oil”. Por, hera e tretë me shqiptarët mund të jetë në stolin e lënë “jetim” nga Xhani de Biazi, që është dorëhequr pak kohë më parë pas 6 vjetësh.
Filipo Inzagi, që udhëhoqi Venecian drejt ngjitjes në Serinë B, nga Lega Pro, sipas “Sky Sport”, është kontaktuar nga presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, i cili kërkon pasardhësin e De Biazit dhe ka shprehur pëlqimin për italianët. Inzagi do ta marrë parasysh këtë ofertë dhe më pas do të mendojë nëse mund të kthejë përgjigje pozitive ose “jo”. Fakti është se oferta është e rëndësishme, pasi SuperPipo do të ishte edhe një reklamë e madhe e futbollit shqiptar, duke qenë një ndër më të njohurit në botë, për golat e tij dhe për fitoret e arritura me Milanin, sidomos.
Pikërisht te të rinjtë e Milanit, Primavera, nisi karriera e tij si trajner, për të vijuar më pas te Venecia, ku projekti ishte ambicioz. Sigurisht, rroga që i ofrohet nga federata shqiptare është thuajse 300 mijë euro dhe bonuse të përfshira, pasi sezonin e fundit, në Lega Pro, te Venecia, por kishte buxhet merkato 7 mln euro. Të mos harrojmë që te Milani ka fituar 1,5 mln euro në sezon, edhe pse u largua ende pa mbaruar ai.
Drejtori teknik – Sakaq, “Sky Sport” zbuloi dhe se se u kontaktua trajneri i pa punë, Kamoleze, që dikur ka drejtuar edhe Torinon dhe, së fundmi ishte në aventurën e tij në Zvicër, me Kiaso, por vetëm si drejtor teknik i projektit për të hapur një cikël të ri me kuqezinjtë. Përkrah tij, edhe Pisheda, edhe pse trajneri i Italisë B ka refuzuar, sipas “Tuttomercatoëeb”. Pisheda njihet në Itali si një trajner ekspert i moshave teksa ka drejtuar me radhë që nga viti 2001 Italinë U-16, U-17, U-18, U-19 dhe U-20. Ai gjithashtu ka mbajtur rolin e ndihmës trajnerit te Mesina dhe te kombëtarja italiane U-18 dhe U-19. Që prej vitit 2011 është në krye të kombëtares B dhe që nga 2015-a drejton gjithashtu kombëtaren italiane të universiteteve. Një refuzim ky që ka befasuar disi kreun e federatës, teksa duhet theksuar edhe se lista e Dukës është e gjatë, por sekrete, për momentin.
Morxhia – Një tjetër alternativë, por vetëm si pjesë e stafit, është ish-trajneri i Akuilas, Masimo Morxhia, që për momentin është pa punë dhe u shkarkua në fund të sezonit. Ai ka drejtuar më parë edhe Sienën, Juve Stabian, Pistoiezen dhe Boliaskon. Morxhia është 66 vjeç dhe nga Roma.