Si mund të shkatërrohet një klub legjendar e me tifozë të panumërt? E thjeshtë, menaxhim i keq, rënie graduale ndër vite dhe një pronar i paaftë e moskokëçarës.
Nuk po flasim për klubet shqiptare, por për Mynih 1860, një ndër klubet themelues të Bundesligës gjermane, në vitin 1962.
Në sezonin 1965-66 Mynih 1860 fitoi Bundesligën, në vitin 1964 kupën dhe në sezonin 1964-65 shkoi deri në finalen e Kupës së Kupave.
Në vitin 2000 Mynih 1860 luajti në kualifikueset e Champions League dhe që aty nisi rënie e tmerrshme. Thuajse një dekadë në Bundesligën 2, derisa 60% të aksioneve i bleu biznesmeni jordanez Hasan Ismaik, i cili në vitin 2011 premtonte Bundesligën dhe Europën, por e çoi në skëterrë gjigantin bavarez.
Në play-out Mynih 1860 u mund nga Regensburgu, diçka e pritshme, duke parë dorëheqjet e drejtuesve para ndeshjes së kthimit dhe faktin se lojtarëve u ishte thënë që do largoheshin në verë.
Mynih 1860 zbriti në Ligën 3, por tmerri sa kishte nisur. Klubi duhej të paguante 10 milionë euro për licencën në Ligën 3, gjë që pronari refuzoi ta bënte. Pasoja? Mohim licence dhe zbritje në futbollin amator, në ligat rajonale, kategoria 4 ose 5.
Një turp i madh për futbollin gjerman, ndërsa në Mymih vdes derbi, pasi përballjet Bajern-Mynih 1860 kanë pasur bukurinë e vet ndër dekada, përtej epërsisë normale të Bajernit.