Një humbje kaq e rëndë nuk pritej, edhe pse Bajerni është i frikshëm dhe luante në shtëpi. Disfata 5-0 në Mynih do të mbahet mend gjatë te Dortmundi, që përveç ndeshjes, sot ka humbur edhe titullin.
Situata në kampin e verdhë është shumë e nderë dhe pas ndeshjes dolën në dritë probleme të brendshme, krijuar nga zgjedhjet e trajnerit Lusien Favre.
Në sulm nuk luajti nga fillimi Mario Gëce, si zakonisht, por Marko Rojs, me Favre që e shpjegoi kështu: “Doja shpejtësi dhe depërtim në kundërsulm. Ndoshta duhej të bëja zgjedhje tjetër, por është e lehtë të flasim tani”.
Ndërkaq, Rojs ishte nervoz pas ndeshjes dhe e tha troç atë që mendonte: “Humbje e pafalshme, nuk luajtëm fare futboll. Çdo plan që kishim mori fund pas pak minutash. Nuk luajta në pozicionin tim, natyrisht, ndaj nuk isha i qetë”.
Fjalët e sulmuesit kanë krijuar jo pak probleme, sepse drejtori sportiv Mikael Cork më vonë u pa duke debatuar me Rojs.