Familja e portierit dhe agjenti Raiola kanë shtrënguar dorën e drejtuesve kuqezi, teksa portieri ndodhet me pushime në Ibiza. Konfirmohen klauzolat: 50 dhe 100 mln euro. Asnjë kompromis mes palëve
Donaruma-Milan, më në fund fjala… fund! Një telenovelë e nisur në fillim me zëra, më pas me takime, por edhe një befasi të madhe: “Xhixhio ka vendosur që të mos rinovojë me Milanin”… Një rrufe në qiell të hapur që kapi të papërgatitur të gjithë milanistët, tifozë, drejtues dhe futbollistë. Asnjë s’e besonte se divorci do të vinte kaq shpejt dhe se lojtari mund të largohej edhe pa ndonjë shifër të madhe ose, pas një sezoni, me parametra zero. Nisi më pas fushata anti-Donaruma, mes protestave të tifozerisë kundër agjentit Raiola, deklaratës së këtij të fundit, që megjithatë la një derë të hapur, arrogancës së djaloshit që nuk denjoi të fliste, teksa dollarët fals hidheshin pas portës së tij në Europian.
Presion i jashtëzakonshëm, teksa familja e tij shihte atë që po ndodhte dhe po kuptonte se djali i tyre do të humbiste lumturinë duke vepruar kështu. Skllav i Raiolës dhe jo vetëm, Donaruma tentoi të tregonte dashurinë e tij me statuse, por më pas u detyra të tërhiqej mes fjalës “m’u vodh profili”, ndërsa i vëllai Antonio Donaruma dhe xhaxhai, pasi reaguan keq ndaj drejtuesve të Milanit, fshinë statuset e tyre. Luftë në rrjetet sociale, teksa drejtuesit kuqezi i shtrinin dorën. Saqë, oferta për rrogën në pesë vitet e ardhshme shkoi nga 5 milionë në 6 milionë euro, teksa edhe i vëllai do të vijë në Milanelo, si portier i dytë, për të fituar 1 milionë euro.
Ditën e djeshme, sakaq, palët janë takuar dhe ka qenë një shtrëngim i fortë dore mes agjentit Raiola dhe Fasones, që ka sjellë akordin final, duke pranur kushtet e Milanit, që kanë një klauzolë prej 50 milionë eurosh në rast se nuk arrihet Champions sezonin tjetër, por edhe një 100 milionë euro në rast se arrihet të paktën vendi i katërt.
Kështu, firma deri në vitin 2022 duhet të vijë në fundjavë, kur edhe Xhixhio të kthehet nga pushimet, pasi ndodhet në Ibiza me të vëllain Antonio dhe të fejuarat e tyre. Raiola ka pranuar kushtet e Milanit, por sidomos ato të familjes së futbollistit kuqezi, që tashmë duhet të vendosë për të harruar gjithçka çfarë ndodhi.
Provimet – Sa i përket provimeve të maturës, futbollisti i Milanit është kritikuar nga profesorët dhe drejtoresha e shkollës, për mungesë respekti, duke qenë se i ka braktisur ato dhe ka fluturuar me avion drejt Ibizës, në mënyrë që të shijojë disa ditë pushime, duke harruar gjithçka ka ndodhur këto ditë.