Milani u mund nga Sampdoria me një gol të pësuar që në minutën e parë dhe ishte një gafë e Donarumës ajo që fundosi kuqezinjtë, edhe pse duket e tepruar të fajësohet portieri kuqezi, duke parë se përpara ishin 89 minuta për të përmbysur gjithçka.
Pas ndeshjes Donaruma doli për mediat, duke kërkuar falje: “Ndihem keq, sepse gabimi im na kushtoi humbjen. Ndoshta përqendrimi në fillim është më i ulët, falënderoj shokët që më ngushëlluan”.
Nuk është hera e parë që Donaruma bën diçka që tërbon tifozët: “Në të vërtetë, kjo që më ndodhi nuk është diçka e re, kam përjetuar situata më të këqija dhe ia dola mbanë t’i kaloja, ndaj jam i qetë”.
Mesjavën e ardhshme Milani pret Udinezen: “Të mendojmë për atë takim, duhet ta fitojmë patjetër dhe do të japim gjithçka, duke luajtur në sulm dhe duke vazhduar ta nisim lojën që nga porta, nuk do ndryshojmë gjithçka për një episod ters'”.