Këtë radhë festa e ditëlindjes nuk ishte me trofe, sepse pas dy vitesh të arta në Korçë, Tefik Osmani është detyruar ta mbyllë sezonin duarbosh.
E megjithatë, edhe 32-vjetori i lindjes e gjen Tefikun “top”, një futbollist i aftë të bëjë edhe mesfushorin në “pleqëri”, një djalosh i zoti për të çdramatizuar edhe situatat më të ndërlikuara, me batutat dhe humorin e tij të paimitueshëm.
Në çdo fundsezoni Osmanit i përfundon kontrata në Korçë dhe telefonatat drejt tij janë të shumta, por në fund Takaj nuk e lëshon, ia di mirë vlerën, jo thjesht për atë që jep në fushë.
Një lojtar lider, nga ata që e mbajnë skuadrën të mbledhur, edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, edhe kur ka probleme e pakënaqësi.
E nisi 15 vite më parë, te Skënderbeu i tij, ndërsa më pas provoi thuajse gjithë klubet më të rëndësishëm në Shqipëri, si dhe kombëtaren shqiptare, duke mos shënuar dot në CV vetëm Dinamon apo Flamurtarin.
Ishte shenjë e fatit: për më shumë se një dekadë nëpër rrugët e atdheut fitoi vetëm një titull kampion e një kupë Shqipërie, të dyja me Tiranën.
Në vitin 2014 u kthye në vendlindje dhe për 2 vjet fitoi dy herë kampionatin e një herë Superkupën.
Ta quash lojtar simbol është e tepruar, pasi nuk e ka kaluar karrierën te Skënderbeu, duke provuar edhe Ukrainën e largët, por në një futboll mercenarësh dhe milionash, Osmani është, ashtu si Kristi Vangjeli, ndër “të fundit e Mohikanëve”.
Me siguri do të ndjekë gjurmët e Bledi Shkëmbit, i cili e mbylli karrierën në Korçë, duke fituar shumë, jo thjesht në aspektin e trofeve dhe milionave në bankë.
Sot Osmani mbush 32 vjeç, i ka festuar në avion, por edhe pse larg familjes, e ka një familje tjetër, Skënderbeun.
Gëzuar kampion!