Kategoria e Dytë në Shqipëri është nivel thuajse amator, me vëmendje mediatike thuajse zero dhe po ashtu vëmendje nga Federata Shqiptare e Futbollit në nivele skandaloze, aq sa ndodhin ngjarje si ajo e Përmetit, ku lojtarët e Këlcyrës masakruan arbitrin dhe në fund nuk u mor asnjë masë ndëshkimore, me komisionet e FSHF-së që bujshëm e falën klubin e Këlcyrës.
Ka edhe një rregull të çuditshëm dhe absurd që FSHF e ka vendosur për Kategorinë e Dytë: klubet duhet të federojnë lojtarë vetëm brenda qarkut të vet!
Përveçse një rregull qesharak, që nuk ekziston askund në botë, të paktën në 3 kategoritë e para të çdo vendi në Europë, ky rregull është edhe diskriminues, në kufijtë e racizmit.
Këto ditë shumë lojtarë dhe klube janë paraqitur në FSHF për t’u regjistruar për vijimin e sezonit, por përgjigja ka qenë “jo”, për shkak se lojtarët që duan të federohen nuk janë nga qarku i klubit që kërkon t’i punësojë. Tragjikomike është se janë refuzuar edhe lojtarë për të cilët është paraqitur vërtetime banimi, me pretekstin se nuk janë realisht nga qarku ku janë regjistruar si banorë, edhe pse dokumenti që u vihet përpara thotë ndryshe!
Tani, problemi është se këta futbollistë mbeten pa punë dhe FSHF duhet të japë një përgjigje: Nëse një vlonjat nuk gjen ekip në Vlorë, por i ofrojnë në Tiranë apo në Shkodër mundësinë që të luajë dhe të paguhet, pak rëndësi sa, a është e drejtë që ky futbollist të digjet përfundimisht për këtë sezon?
Nuk mbaron me kaq, por diskriminimi është tronditës edhe për klubet e qytezave të vogla: nëse një klub në Tirana mund të gjejë pa fund futbollistë, qoftë edhe nga të rinjtë e Tiranës, Partizanit, etj, si do t’ia bëjë një klub nga qarku i Kukësit, i Dibrës, apo i Lezhës? Ku t’i gjejë Klosi, për shembull, futbollistët dibranë, a thua se aty ka me qindra që presin dhe stërviten çdo ditë?
Si i justifikon FSHF falsifikimet e disa klubeve, që i paraqesin futbollistët me pasaportizim në Tiranë, kur realisht ata nuk janë banorë të Tiranës? Pse duhet të trajtohet ndryshe Partizani B, për shembull, që hedh në fushë edhe lojtarë nga ekipi i parë, edhe nëse janë të huaj apo nga Kosova, ndërsa Tërbuni, Klosi, Luzi e të tjera klube duhet të gjejnë patjetër banorë të qarkut të tyre?
Këto janë disa nga broçkullat që nuk e lejojnë futbollin shqiptar të zhvillohet, duke vrarë klubet e vogla dhe duke ndihmuar sipas qejfit klubet që kanë miq të fortë apo që paguajnë. Në çdo vend normal, kufizimi mund të ishte për të mos lejuar të huaj në kategoritë e ulëta dhe për të vendosur detyrim federimi e aktivizimi për 5-10 apo më shumë lojtarë U-23 të rritur në qarkun e klubit që i federon, me synimin për të ndihmuar të rinjtë vendas, por nuk mund të detyrosh një klub të mos federojë asnjë lojtar jashtë qarkut të vet, duke u shkatërruar karrierën, sado modeste, qindra futbollistëve.