Komisioni i Disiplinës është mbledhur sot dhe ka vendosur mbi ngjarjet e turpshme që ndodhen pas Tirana-Kukësi. Klubi bardheblu ia ka hedhur paq, pasi është dënuar të luajë vetëm dy ndeshje pa tifozë. Me siguri lojtarët që u sulmuan do kenë zgurdulluar sytë kur kanë marrë vesh dënimin. A, po, ndodhi pasi kishte përfunduar ndeshja.
Por nëse tifozët hyjnë në fushë dhe dënohesh dy ndeshje, kujdes me zyrtarët. Denis Taku i Tërbunit nuk mund të luajë katër ndeshje për shkak të sjelljes së tij, kurse Ardit Jaupaj gjashtë ndeshje. Ky i fundit jo vetëm është sjellë keq, por edhe ka provokuar publikun.
– KF “Tirana”, për dështimin në përmbushjen e përgjegjësive, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke u futur brenda pjesës së rrethuar të fushës dhe duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve, në bazë të Nenit 66/3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
– Lojtari i FK “Tërbuni”, Denis Taku, për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– Lojtari i KF “Devolli”, Ardit Jaupaj, për provokim të publikut dhe sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 53/1 dhe 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– KF “Delvina”,për sjellje të gabuar të tifozëve, në bazë të nenit 13/1 të KDS paralajmërohet se në rast përsëritje të sjellje të tilla do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
– Lojtari i SHS “Përmeti” Xhuljo Mamushi për sjellje të gabuar ndaj kundërshtareve të ndeshjes dhe për ofendime ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të neneve 48/1/d ,49/1/a dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– Lojtari i FK“Kamza” U-19, Albjon Alimema, për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti
– Lojtari i “Shkendija” T.B U-19, Bashkim Koleci, për sjellje te gabuar ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– Lojtari i “Term FC” U-19, Gentjan Noka, për sjellje të gabuar ndaj ekipit kundërshtar në bazë të nenit 48/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike.
– Zyrtari i KF “BRIANS” U-17, Aldi Shyti, për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2(dy)ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– FC “Bylis” U-17, për mosparaqitje në ndeshje në bazë të nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 (tre me zero).
– Lojtari i FK “Tomori” U-17, Remino Nazeraj, për sjellje të keqe ndaj zyrtareve të ndeshjes ,në bazë të nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.